Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka pritur në takim pune shefin e saj për herë të parë.
Ajo tha se Avdullah Hotit ia ka adresuar prioritetet e dikasterit që ka marrë ta udhëheqë.
“Kënaqësi të prisja sot në vizitë pune Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti. E falënderova Kryeministrin për vizitën, dhe adresova çështjet me prioritet për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës duke e vënë theksin në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, dhe funksionalizimin e plotë të MPJD-së pas fuzionimit”.
Ajo tha se partneriteti me aleatët strategjikë do të jetë orientimi i saj kryesor në koordinimin e objektivave të politikës së jashtme.
“Zgjatja e dorës së shtetit për diasporën tonë do të bëhet me të gjithë kapacitetin që kemi, duke i trajtuar me dinjitet dhe korrektësi”.