Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, është zmbrapsur nga përcaktimi që të mos i jepet zotimi Serbisë se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ministria që drejton ajo ka aplikuar dhe pastaj ka tërhequr aplikimin për t’u bërë nënshkruese e Konventës së Gjenevës.
Burime brenda Ministrisë i kanë thënë KOHËS se aplikimi ka ndodhur para rreth një muaji.
“Por më pas ka pasur ndërhyrje që të tërhiqet aplikimi për shkak të rinisjes së dialogut”, ka thënë burimi.
Ministria nuk ka ofruar sqarime për aplikimin dhe arsyet e tërheqjes, pavarësisht interesimit.
Konventa e Gjenevës përbëhet nga katër marrëveshje bazë, që përfshijnë mbrojtjen e civilëve, të burgosurve të luftës, të plagosurve dhe të punonjësve humanitarë. Ajo është nënshkruar dhe ratifikuar nga 194 shtete.
Pas heqjes së reciprocitetit nga Qeveria Hoti, kërkesë tjetër e Serbisë ishte që Kosova t’i pezullojë kërkesat për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, si kusht për ta ndalur fushatën e çnjohjeve dhe rikthim në tryezën e negociatave.
Përmbushjen e kërkesës ia kishte konfirmuar kryeministri Hoti, emisarit të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, para takimit të pezulluar të 27 qershorit.
Por ministrja Haradinaj nuk ishte pajtuar me vendimin që të pezulloheshin kërkesat për anëtarësime.