Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë së cilës i ka shprehur se kërcënimet për vendosjen e tarifave doganore ndaj tetë vendeve europiane janë “të gabuara”, në lidhje me dërgimin e forcave ushtarake në Grenlandë.
Duke folur për gazetarët në Seul, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Meloni tha se biseda me Trump kishte ndodhur disa orë më parë.
“Besoj se vendosja e tarifave të reja do të ishte gabim. I thashë këtë mendim Donald Trump-it,” deklaroi ajo.
Kryeministrja italiane shtoi se ka komunikuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili, sipas saj, e ka siguruar se Aleanca ka nisur të merret me këtë çështje.
Megjithatë, Meloni u përpoq të ulë tonet e tensionit, duke e cilësuar situatën si një “problem mirëkuptimi dhe komunikimi” mes Europës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjen e Grenlandës.