Memli Krasniqi takon drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qendrore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare – flasin për gjendjen e sigurisë

Prishtinë | 19 Nën 2022 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë vizitës zyrtare në Washington DC, ka takuar Adi Muzurovic, drejtorin për Ballkanin dhe Evropën Qëndrore të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

Kreu i PDK-së ka thënë se kanë diskutuar për situatën aktuale dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë tek zhvillimet e fundit në Kosovë.

“Ndamë shqetësimet e përbashkëta dhe u dakorduam për nevojën e koordinimit të plotë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve. Meqë sfidat e sotme kërkojnë një kuptim të ri dhe më të gjerë të sigurisë kombëtare, drejtorit të NSC i shpreha qëndrimin tim dhe të PDK-së se koordinimi dhe bashkëpunimi me partnerët tanë ka qenë dhe vazhdon të mbetet jetik për popullin e Kosovës”, tha Krasniqi nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook.

Lideri i opozitës tha se nuk ka liri, zhvillim e as integrim pa siguri, gjë të cilën, siç shkruan Krasniqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar për më shumë se dy dekada Kosovës.

“Mbi këtë akt të një partneriteti të besueshëm dhe themelor, ne mbesim thellësisht të përkushtuar që ta ruajmë e ta fuqizojmë këtë raport strategjik edhe në të ardhmen”, tha Krasniqi.

Të ngjashme