Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka takuar mësuesen e tij, Igballe Haziri me rastin e shënimit të Ditës së Mësuesit – 7 Marsit.
Krasniqi u shpreh se në ecjen e Kosovës nëpër vite, mësimdhënësit kishin një nga përgjegjësitë më të mëdha, sidomos mësuesit e viteve të 80-ta dhe 90-ta që, përveç rolit të tyre primar në dhënien e dijes, u kujdesën që të mbanin gjallë dashurinë për kombin dhe lirinë.
“Si një nxënës i asaj kohe, i kujtoj me nostalgji ditët e shkollës dhe e vlerësoj përherë punën e madhe të mësueses sime, Igballe Haziri, të cilën e vizituam sot bashkë me Blerandin, për t’ia uruar Ditën e Mësuesit. Edhe sot e kësaj dite, sa herë e takojmë mësuesen Igballe, ajo na inkurajon që të punojmë çdo ditë për shtetin tonë, por sidomos për brezat e rinj. Dashuria dhe përkushtimi i saj ndaj nxënësve te shumtë që ka edukuar ndër dekada është shembull që duhet ndjekur nga secili në cilindo profesion që bën.”, shkruan Krasniqi.
Lideri i PDK-së thotë se shoqëria jonë duhet të kujdeset më shumë për mësimdhënësit.
“Ndjehem krenar që kam qenë pjesë e qeverive që kanë kontribuar në rritjen e mirëqënies së tyre dhe në përmirësimin e dukshëm të kushteve të punës në shkollat dhe universitetet tona. Por, duhet bërë edhe më shumë, sepse kemi obligim ndaj kontributit të parreshtur të mësuesve, arsimtarëve e profesorëve tonë. Gëzuar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve që nëpër dekada e mbajtën gjallë arsimin shqip.”, shkruan Krasniqi.