Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se institucionet shëndetësore po degradohen nga Qeveria Kurti dhe se ka tentim për ta politizuar sistemin shëndetësor. Ndërsa, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, thotë se Qeveria nuk po i mbështet profesionistët shëndetësorë, madje ua ndali edhe mbështetjen financiare prej 250 eurove, prandaj me arsye ata po ikin nga Kosova.
Deputeti i LDK-së, Zemaj, ka thënë për Ekonomia Online se lista e pritjeve për operime në shumë klinika është në rritje, derisa nga kjo përfitojnë spitalet private.
“Ne gjithmonë edhe në kohë të tjera kemi pasur kritika për keqmenaxhim. Po tash fare nuk ka menaxhim dhe ky është shqetësimi ynë. Nuk ka angazhim për menaxhim të kësaj situate. Ka vetëm veprime periferike ‘ad-hoc’. Dhe gjithçka është degraduar furnizimi me barna, përgjegjësia ka politizim të skajshëm në kapjen e klinikave, drejtorëve”.
“Ky është degradimi më i madh që ka ndodhur ndonjëherë në institucionet e shëndetësisë. Këtë e lejon ministri dhe qeveria sepse ka interesa të dobëta për t’i ofenduar profesionistët shëndetësorë”, ka thënë Zemaj.
Ai thotë se krahas specializantëve që ikin nga Kosova, po largohen edhe mjekë, derisa thotë se mënyra se si trajtohen profesionistët shëndetësorë, është ofendim për ta.
“Jo vetëm specializantët, por edhe mjekët,po ikin për shkak të mospërkrahjes së kësaj qeverie. Është ofendim mënyra se si janë qasur me shtesa. Është ofendim trajtimi i tyre që bëhet. Është ofendim kur tentohet t’iu vihen udhëheqës joprofesionistë ose klientelë politike dhe nuk lihen që të angazhohen në punët e tyre profesionale. Lista e pritjeve për operime në shumë klinika ka kaluar në nivel të tmerrshëm të kërkesave të qytetarëve. Ndërsa në sektorin privat çdo herë janë të gatshëm dhe mund të ofrohen. Është shpërputhje totalisht e menaxhimit të sektorit të shëndetësisë”, tha Zemaj.
E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka folur për keqmenaxhimin e pandemisë, ndërsa ka përmendur si një masë krejtësisht të panevojshme orën policore e cila fillon nga ora 24:00. Haxhiu thotë se kjo nuk ka dhënë asnjë efekt në zvogëlimin e rasteve me Covid-19, teksa shton se kjo po bëhet vetëm për t’i ndëshkuar qytetarët.
“Është dëshmuar që kjo orë policore e vendosur nga qeveria nuk ka dhënë asnjë efekt në zvogëlimin e rasteve të virusit covid19. Prej kohës kur është vendosur ora policore kemi pasur rritje të numrit të rasteve. Kjo dëshmon që ora policore është e paefektshme. Ora policore po përdoret nga qeveria vetëm për të ndëshkuar qytetarët dhe mbushur buxhetin e Kosovës, sepse në aspektin e menaxhimit të pandemisë nuk ka thënë asnjë efekt”.
“Brenda këtyre dy vjetëve vetëm menaxhim të pandemisë nuk ka pasur. Ka pasur veprime ‘ad-hoc’ të qeverisë, por jo strategji dhe plan të cili do të duhej ta zbatonte qeveria”.
Deputeti Haxhiu shtoi se Qeveria ka dështuar të mbështes profesionistët shëndetësorë prandaj edhe me arsye ata po ikin nga Kosova. Ai tha se Qeveria Kurti ua reduktoi edhe mbështetjen financiare prej 250 euro.
“Kjo qeveri ka dështuar të mbështes profesionistët shëndetësorë, prandaj edhe me arsye ikin nga Kosova ,sepse edhe atë mbështetje që e kishim siguruar në fillim me 250 euro, qeveria ua reduktoi në 60 euro”.
“Pra pas dy vjetëve angazhim dhe betejë heroike të tyre me pandeminë, qeveria i braktisi. Ligji i Pagave as nuk duket që do të jetë në diskutim publik dhe kjo ka dekurajuar profesionistët shëndetësorë prandaj kemi pas një ikje të tyre edhe muajve të fundit”, tha Haxhiu.
Gjendje jo e mirë, sipas tij, është edhe sa i përket procesit të vaksinimit.
“Kosova ka kapacitete që të bëjë deri në 50 mijë vaksinime në ditë. Për fat të keq në shumicën e kohës ka bërë dhjetëfish më pak dhe normalisht që kështu nuk mund të arrihet imunizimi i tufës”, shprehet Haxhiu, i cili me profesion është mjek.