Ditëve të fundit janë kriju paqartësi rreth menaxhimit të kontratës së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit. Për këtë arsye, dëshirojmë të sqarojmë për publikun këtë situatë përmes kësaj komunikate.
Sipas obligimeve ligjore dhe rregullative, për çdo kontratë projektuese, ndërtimore apo tjetër, institucioni i Kryeqytetit cakton zyrtarë për të menaxhuar dhe/apo mbikëqyrur zbatimin e kontratës. Për kontratën e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit kanë qenë të caktuar tre zyrtarë, një menaxher dhe dy mbikëqyrës.
Në këtë rast, menaxheri dhe mbikëqyrësit e kësaj kontratës kanë kërkuar të lirohen nga kjo përgjegjësi shtesë që kanë patur për shkak të mbingarkesës në punë. Dy prej tyre janë Shefa të Sektorëve me shumë përgjegjësi dhe detyra në sektorët ligjor dhe të planifikimit, pozita këto me ngarkesë të madhe. Prandaj, detyrat shtesë që kanë patur për të mbikëqyrur kontratën e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit kanë shkaktuar mbingarkesë të madhe.
Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka të angazhuar dhjetëra arkitektë, inxhinierë e profesionistë të tjerë dhe është duke punuar paralelisht në rreth 30 projekte që e ka shtuar volumin e punës te tre zyrtarët në fjalë të mbikëqyrin punën e këtij Shërbimi.
Për këtë arsye, pas kërkesës për lirim nga kjo detyrë, ne jemi në proces të emërimeve të reja dhe të zgjerimit të ekipit menaxhues dhe mbikëqyrës të kontratës së këtij Shërbimi nga tre në pesë zyrtarë, të cilët do të kenë detyrë primare mbikëqyrjen e këtij Shërbimi. Posa të përfundojë procesi dhe të finalizohen emërimet do të ju informojmë për ekipin e ri menaxhues dhe mbikëqyrës të kontratës së këtij Shërbimi.
Në fund, ju informojmë se menaxhmenti i Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit është duke vazhduar punën si çdo ditë tjetër në rreth 30 projekte të Kryeqytetit.