Bashkë-themeluesja e një agjencie kreative të quajtur Narrative ndan këshillat e saj më të mira për të shikuar me kujdes paratë që hyjnë dhe dalin nga kompania e saj.
Tingëllon e thjeshtë, por të siguroheni se kompania juaj ka më shumë para të hyra se të dala është njëra prej detyrave më të rëndësishme të drejtimit dhe rritjes së një biznesi. Mirëpo, nganjëherë, është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet.
Mësoni nga Tricia Clarke-Stone e cila së bashku me këngëtarin e muzikës hip hop dhe ndërmarrësin Russell Simmons, bashkë-themeluan një agjensi kreative të quajtur Narrative. Si Kryeshefe Ekzekutive, Clarke-Stone e dinte herët se dëshironte të kishte rrjedha të ndryshme të të ardhurave përderisa qëndronte e vërtetë ndaj pasionit të markës për tregim të historive, inovacion dhe realizimin e ideve të reja.
Përveç kësaj, Clarke-Stone ka futur sisteme të cilat e ndihmojnë atë të shikojë me kujdes rrjedhën e parasë dhe të sigurohet se Narrative ka burimet e nevojshme për t’u rritur. Këtu janë tri këshillat e saj më të mira për menaxhimin e rrjedhës së parasë në çdo biznes.
Shumëfishoni rrjedhat e të ardhurave
E para dhe më e rëndësishmja, provoni të mos mbështeteni vetëm në një burim të të ardhurave për të dërguar biznesin tuaj përpara. ‘’Nëse një pus thahet ju duhet të siguroheni se keni diçka tjetër për ta zëvendësuar atë’’, rekomandon Clarke-Stone.
Diskutoni rrjedhën e parasë rregullisht
Gjithmonë shikoni se prej nga po vijnë paratë tuaja, sa po hyjnë dhe sa po dalin. ‘’Ne kemi një raport parashikimi të cilin e kemi vendosur për të gjurmuar llogaritë e pagueshme, llogaritë e pranueshme dhe çfarë kemi në pritje në terme të parashikimeve tona’’, thotë ajo.
Bëni negociata për kohën e pagesës
Nuk ka asgjë më keq se sa të përfundoni një projekt ose fushatë për një klient dhe pastaj të prisni e të prisni për pagesë. Për t’i ikur këtij rreziku, Clarke-Stone thotë se ajo bën negociata për pagesën përpara, që Narrative të paguhet të paktën një pjesë para se puna të fillojë. (Entrepreneur)