Shumëkush pëlqen ta rrethojë oborrin cep më cep. Jo pak kryefamiljarë nuk duan që kalimtarët e rastit në rrugë a fqinjët e parë t’ua shohin oborret. Gjithandej Kosovës bien në sy muret, megjithëse jo si para luftës. Turlifare zgjaten përgjatë mezhdave. Prej atyre me gurë që u rezistojnë kohëve e deri te ato me blloqe.
Me blloqe të kuq e të bardhë, të cilëve përgjithësisht u referohen si blloqe betoni. Më të pakta janë muret me qerpiç. Ka shumë raste kur familjarët ia kanë kthyer shpinën truallit të moçëm të rrethuar skajeve me mure të tilla. Qerpiçët tani mezi po mbahen. Nganjëherë, sa për të mos u shembur, u janë vendosur anash shtylla e dërrasa, shkruan sot Koha Ditore.
Gjatë vizitave të përjavshme të ekipit të gazetës nëpër pjesë të ndryshme të vendit, në sy kanë rënë edhe mure të vjetra prej guri, që më vonë janë zgjatur me mure të reja të punuara nga mjeshtër të përpiktë të murosjes së blloqeve. Janë mjeshtër, që folur me gjuhën e tyre, i “vajtojnë” fugat.