“Mendoj për ty”, nisur për gratë e dhunuara të Kosovës edhe në Strasbourg

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

“Si një e re nga Kosova, pata fatin të shpëtoja nga një vend i shkatërruar dhe të shkoja në Londër për të studiuar për art. Të tjerët nuk ishin me aq fat. Ndjeva se ishte koha dhe misioni im si artiste për të nderuar mijëra të mbijetuara të dhunës seksuale të kohës së luftës, gra dhe vajza që kishin vuajtur në heshtje dhimbjet e tyre të varrosura nën turpin dhe stigmën”, ka thënë Alketa Xhafa-Mripa të martën në prezantimin “Mendoj për ty”, në sesionin e 48-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në Strasbourg

Gati një dekadë pas nisjes së rrugëtimit nga Prishtina –  kur “Mendoj për ty” me fustanet e grave të dhunuara në luftë nuk pushtoi vetëm stadiumin, por edhe botën mbarë nëpërmjet imazheve, Strasbourg do të jetë nikoqiri i radhës i instalacionit, i cili tashmë flet me gjuhën universale. Të martën edhe ajo që njihet si kryeqendra evropiane e të drejtave të njeriut ka mësuar pak nga projekti global i artistes Alketa Xhafa-Mripa. E ka prezantuar në sesionin e 48-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës si thirrje e fuqishme për ndërgjegjësim, drejtësi dhe solidaritet me viktimat e dhunës seksuale në konfliktet e armatosura. I paraprin inaugurimit zyrtar, që do të mbahet më 19 qershor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte

“Ky fund e ka një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998! Dardania I, Pejë”, shkruante në pjesën e sipërme të fustanit ngjyrë qielli, që ishte pjesë e instalacionit “Mendoj për ty” në Stadiumin e Prishtinës, në qershorin e vitit 2015.

Por prej atëherë historitë e grave kosovare, që janë të mbijetuara të dhunës seksuale, kanë lëvizur nëpër vende të ndryshme evropiane. Janë treguar copëza të rrëfimeve të mozaikut të trishtë të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Të martën edhe ajo që njihet si kryeqendra evropiane e të drejtave të njeriut, Strasbourg, ka mësuar pak nga projekti global i artistes Alketa Xhafa-Mripa. Më shumë do të mësojë në qershor kur instalacioni do të zërë vend atje. Artistja që në Kosovë kishte mbledhur fustane e rroba të tjera të të dhunuarave që – sipas organizatave ndërkombëtare llogariten të jenë 20 mijë veta – projektit i ka dhënë karakter global.

Në sesionin e 48-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Xhafa-Mripa ka prezantuar projektin e “Thinking of You” (Mendoj për ty).

Projekti në Strasbourg është prezantuar si thirrje e fuqishme për ndërgjegjësim, drejtësi dhe solidaritet me viktimat e dhunës seksuale në konfliktet e armatosura. Prezantimi i veprës artistike në kuadër të Kongresit i paraprin inaugurimit zyrtar, që do të mbahet më 19 qershor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte. Projekti synon të sjellë në vëmendje plagët e hapura të kësaj dhune sistematike dhe thekson nevojën për veprim të koordinuar ndërkombëtar.

“Kur krijova për herë të parë ‘Thinking of You’ në vitin 2015, në Prishtinë, e bëra këtë me një ndjenjë të thellë përgjegjësie”, ka thënë krejt në fillim artistja Xhafa- Mripa para të pranishmëve, në atë që është Pallati i Evropës.  Përderisa prapa saj janë shfaqur imazhet e instalacionit, Xhafa-Mripa ka thënë se si artiste beson në fuqinë e artit për të treguar histori që vetëm fjalët nuk mund t’i rrëfejnë.

Alketa Xhafa_Mripa: “Ky instalacion është një deklaratë solidariteti, një mënyrë që ne të themi më në fund: Ne ju shohim ju. Ne ju dëgjojmë. Ju nuk jeni të harruara”

“Si një e re nga Kosova pata fatin të shpëtoja nga një vend i shkatërruar dhe të shkoja në Londër për të studiuar për art. Të tjerët nuk ishin me aq fat. Ndjeva se ishte koha dhe misioni im si artiste për të nderuar mijëra të mbijetuara të dhunës seksuale të kohës së luftës, gra dhe vajza që kishin vuajtur në heshtje dhimbjet e tyre të varrosura nën turpin dhe stigmën”, ka thënë ajo. Ka sqaruar se ideja ishte e thjeshtë, por e fuqishme: mijëra fustane, të dhuruara nga vetë të mbijetuarat dhe njerëz nga të gjithë lëmenjtë e jetës, të shfaqura në linjat e larjes, një skenë e përditshme shtëpiake e shndërruar në një simbol të mbijetesës dhe elasticitetit.

“Ky instalacion është një deklaratë solidariteti, një mënyrë që ne të themi më në fund: Ne ju shohim ju. Ne ju dëgjojmë. Ju nuk jeni të harruara”, ka thënë ajo. Por, sipas saj, ky mesazh nuk ishte asnjëherë vetëm për një konflikt pasi është një thirrje universale për drejtësi.

“Kjo është arsyeja pse në vitin 2024 ‘Thinking of You’ u prezantua në Hagë, qytetin e paqes dhe drejtësisë ndërkombëtare. Veshjeve nga Kosova deri në Ukrainë, nga Bosnja në Ruandë dhe nga Kongo në Sudan dhe shumë vende të tjera… histori të të mbijetuarve nga e gjithë bota iu dha njohja që meritojnë”, ka thënë ajo.

Ka sqaruar se ishte një kujtesë se dhuna seksuale në konflikt nuk është thjesht një mizori e kaluar por ajo është një krizë e vazhdueshme. Ka bërë thirrje që drejtësia nuk duhet të vonohet.

“Evropa u ndërtua mbi premtimin: Kurrë më. Kurrë më duke mos lejuar që krimet e luftës të përballen me heshtje, duke mos u larguar më kurrë nga vuajtjet e atyre që kanë duruar të paimagjinueshmen. Nëse pretendojmë të mbrojmë të drejtat e njeriut, atëherë duhet t’i përmbushim këto pretendime, jo vetëm me fjalë, por me veprime”, ka thënë ajo.

Derisa u është drejtuar të pranishmëve, ka treguar se mezi pret të sjellë në Strasbourg “Thinking of You”, si një qytet që qëndron simbol i të drejtave të njeriut dhe unitetit evropian. Për të, sjellja e kësaj vepre në zemër të Evropës është një hap i fuqishëm drejt garantimit që zërat e të mbijetuarve të dëgjohen në një skenë ndërkombëtare. Por, ky veprim shkon edhe më tej.

“Është një thirrje për veprim, për ndryshim politikash dhe për njohje. Sepse drejtësia e vërtetë nuk ka të bëjë vetëm me njohjen e së kaluarës, ka të bëjë me formimin e një të ardhmeje ku asnjë i mbijetuar nuk ndihet i padukshëm. E drejta për t’u parë, për t’u dëgjuar dhe për të kërkuar drejtësi nuk është një ideal abstrakt, është një vlerë evropiane. Është themeli i institucioneve tona, arsyeja pse Strasburgu ekziston më shumë sesi një qytet”, ka thënë ajo.

Ka shpjeguar se për të ky projekt është më shumë se art. E ka përshkruar edhe si premtim.

“Një premtim që këto gra dhe burra nuk do të fshihen nga historia. Një premtim se do të vazhdojmë të luftojmë për të vërtetën dhe drejtësinë. Një premtim që do të qëndrojmë me të mbijetuarit, gjithnjë dhe përgjithmonë”, ka thënë ajo.

Vitin e kaluar “Thinking of You” mori vëmendje në atriumin e ndërtesës qendrore të qytetit të Hagës dhe përgjatë rrugës së pemëve në “Lange Voorhout”. Kësaj radhe bashkonte fustane e funde të të mbijetuarave të dhunës seksuale nga vende të ndryshme të botës. Siç kishte thënë artistja Xhafa-Mripa asokohe në Hagë synonte të tërhiqte vëmendjen ndaj realitetit të dhunës seksuale në konflikte dhe pasojave të saj njerëzore.

Mbi pesë mijë fustane të grumbulluara brenda një muaji janë ishin varur në Stadiumin e Prishtinës të  premten 12 qershorit të vitit 2015, në inaugurimin e  instalacionit “Mendoj për ty” të artistes kosovare Alketa Xhafa-Mripa. Fustane që bartin edhe histori reale, bashkë me ato që kanë dhuruar personalitete të njohura të vendit e të botës, ishin bërë bashkë. Mesazhi ishte i qartë: s’ka dallim, dhe se përjetimet e tmerrshme të grave të dhunuara janë histori e përbashkët. Fotografitë e instalacionit kishin zënë vend në ballinat e shumë mediave prestigjioze ndërkombëtare (Foto: Alban Bujari)

“Do të sfidojë një audiencë të gjerë që të mendojë më thellë për realitetet e jetuara të të mbijetuarve në mbarë botën dhe të mobilizojë vendimmarrësit kryesorë për të ndërmarrë veprime më të forta në parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës seksuale të lidhur me konflikte”, kishte thënë asokohe Xhafa Mripa. Hagën, që shihet si qyteti ndërkombëtar i paqes dhe drejtësisë, artistja e kishte përshkruar si vendin më të mirë për të paraqitur këtë instalacion. Edhe atje instalacioni qe prezantuar në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte, me 19 qershor.

Projekti “Thinking of You” është prezantuar edhe në Londër, Bruksel e Vjenë. Edhe në këto vende janë paraqitur fustanet e po ashtu i janë bashkuar rroba të reja. Instalacioni është pasuruar edhe të martën. Pas fjalimeve të Dukeshës së Madhe të Luksemburgut për dhunën seksuale në zonat e konfliktit, si dhe Chébéka Hachemit, presidente e shoqatës Afganistani i Lirë, Xhafa-Mripës i është dhuruar një bluzë nga vetë Dukesha që udhëheq shoqatën “Stand, Speak, Rise Up!”./ Koha/

Të ngjashme