“Meraku” për automobilat bashkon shqiptarët

Prishtinë | 12 Gus 2018 | 11:19 | Nga

Nga të gjitha qytetet e Kosovës e nga shumë vende tjera të botës u grumbulluan mijëra njerëz në një vend më 4 gusht për vetëm një qëllim.

“Meraku” për automobilat mblodhi të rinj e të moshuar në Shkabaj. Tym, adrenalinë, shpejtësi, brohoritje e duartrokitje u vunë re vazhdimisht për shumë orë të “Auto-Showit” të organizuar nga grupi “Marakli t’Kerreve!”. Garues të njohur, drifterë, kompani për dekorime të automobilave, të sigurimeve, autoservisë e deri te kompanitë e pastrimit të automobilave, morën pjesë në spektaklin e “Maraklive”.

Mbi 70 mijë anëtarë ka ky grup i madh i adhuruesve të automobilave në Facebook. Në këtë grup shkëmbehen fotografi, këshilla, informata e ofrohet ndihmë lidhur me automobilat, shkruan Koha Ditore.

Me shumë anëtarë të stafit “Maraklitë” mbajtën gjithçka nën kontroll dhe i gjithë organizimi solli vetëm argëtim. I gjithë stafi mbante veshur fanella me ngjyrë të verdhë e me logon tashmë të famshme të dy duarve në timon, logo kjo që shihet vazhdimisht nëpër rrugët e Kosovës e që ka nisur të zgjerohet e të depërtojë edhe në qendrat më të mëdha botërore. Tashmë “Maraklitë” janë bërë një familje e madhe.

Në një hapësirë gjigante në parkingun e “Qendrës së Panaireve”, “Maraklitë” kishin mbushur terrenin me goma duke ndarë shtigjet për drift dhe ato për vizitorët që të mos rrezikoheshin mysafirët gjatë aktiviteteve të ndryshme. Shumë goma u shpërthyen e shumë automobila të shtrenjtë nuk kursyen asgjë për të argëtuar të pranishmit. Nuk munguan as motorët e as automobilat e pazakontë që shihen rrallë rrugëve të Kosovës. Pati automobila që kapin vlerën e qindra mijëra eurove e deri te automobilat më të thjeshtë në pamje, por që “Maraklitë” i kishin shndërruar në “automobila për merak”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme