Mërgimtarët ankohen se po presin kah 10 orë nëpër kufij, s’ka as banjë

Prishtinë | 20 Dhj 2020 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Shumë kosovarë që jetojnë në Evropë kanë mësyrë vendlindjen për festat e fundvitit. Nisja e tyre drejt Kosovës ka shkaktuar kolona të gjata nëpër kufijtë e shteteve që i përshkojnë gjatë rrugës. Ndër to është kufiri mes Sllovenisë e Kroacisë, ku mijëra qytetarë kanë pritur me orë të tëra për të kaluar tutje.

Të premten, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftoi se në këtë kufi qytetarët po presin deri në dhjetë orë, ndërsa në kufirin Kroaci-Serbi po duhet të presin edhe pesë orë të tjera, për shkak të fluksit edhe nga kroatët që po kthehen nga Evropa drejt Kroacisë.

“Associated Press” ka folur me qytetarë të cilët ishin ngujuar duke pritur me orë të tëra, e ndër ta ishte edhe Naser Malili që udhëtonte nga Zvicra drejt Kosovës. Ai ka thënë se e ka kaluar këtë rrugë për 30 vjet dhe kurrë s’ka pasur telashe si tash.

“Ka dhjetë orë që po presim. S’është normale. Nuk më ka ndodhur kurrë më herët. Kam udhëtuar nëpër këtë rrugë qe 30 vjet dhe s’kam parë kurrë diçka të tillë. Dhjetë orë? Jam me fëmijët këtu, me familjen, të gjithë janë me familje. S’ka as tualete. Nuk po e kuptoj çfarë po bëjnë këtu në kufirin kroat”, ka deklaruar ai.

Edhe qytetarë të tjerë që kanë folur për AP-në janë deklaruar se kanë pritur më shumë se dhjetë orë. Të gjithë i kanë cilësuar të turpshme pengesat që u bëheshin duke i vonuar në kthimin në vendlindje.

Pos qytetarëve që kanë mësyrë vendin në rrugët tokësore, të shtunën afro 10 mijë qytetarë janë futur në vend nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës. Ardhja e bashkatdhetarëve në fundvit është cilësuar e rëndësishme edhe për ekonominë e dërrmuar nga pandemia, përkatësisht nga masat kufizuese të lëvizjes së njerëzve dhe operimit të bizneseve

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme