Meridian Express ka dhuruar një çek prej 1,506.26 euro për fondacionin humanitar “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, raporton Ekonomia Online.
Fondet u ngritën për shpëtimin e jetëve të fëmijëve dhe nënave nga fushata “Kontribuo për fëmijët, blej produkte Schärf”. Për çdo produkt të blerë Schärf në Meridian Express, 10% e shumës i është dedikuar organizatës ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’.
Yllka Mustafa, menaxhere për marrëdhënie me publikun dhe reklamim, u shpreh falënderuese ndaj konsumatorëve të Meridian Express-it për bashkëpunimin për këtë fondacion.
Kampanja “Kontribuo për fëmijët, blej produkte Schärf” është zhvilluar gjatë muajit mars në Meridian Ekspress në gjithsej 35 markete, ku për çdo produkt të blerë Schärf është dhënë 10 përqind të vlerës për fondacionin “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, falënderojmë gjithë konsumatorët e Meridian Expressit për këtë kampanjë për të iu dalë në ndihmë nënave dhe fëmijëve me nevojë”, tha Mustafa.
Ndërsa, Janina Mehmeti nga Fondacioni humanitar ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ tha se bashkëpunimi me Meridian Express-in do t’iu ndihmojë mjaft shumë nënave dhe fëmijëve me nevojë dhe ky fondacion ka për qëllim përmirësimin e shëndetit të foshnjave dhe nënave, përkatësisht duke financuar programet shëndetësore të fondacionit, siç janë: furnizimi me medikamentin jetëshpëtues për foshnje Surfaktant, zhvillimin e transportit për të porsalindurit si dhe zhvillimin e ‘Klasave për Nëna’.
“Fondacioni humanitar “Aksioni për nëna dhe fëmijë”, është fondacion i cili punon në sektorin e shëndetësisë duke zhvilluar programet të cilat ndihmojnë në përmirësimin e jetës së nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Bashkëpunimi me Meridian Express ishte i fokusuar në fushën e përmirësimit të jetës së foshnjave në vend dhe me fondet e ngritura ne do të sigurojmë furnizimin me Surfaktant i cili është medikament esencial për zhvillimin e mushkërive tek foshnjat e lindura para kohe. Në klinikën e neonatologjisë do të hapim klasa për nënat që deri më tani kemi hapur mjaftë qendra në qytete të ndryshme të Kosovës, këto qendra ndihmojnë edukimin dhe aftësimin e grave shtatzëna për të rritur fëmijët e tyre si dhe t’i ndihmojmë gjatë procesit të lindjes, si dhe me këto fonde ne do të mbështesim edhe transportin neonatal që do të iu ofrojmë transportin më të sigurt për foshnjat që kanë nevojë të udhëtojnë nga një spital në tjetrin”, shtoi Mehmeti.