Gjendja me koronavirusin në Gjermani është dramatike, tha të mërkurën Kancelarja Angela Merkel, duke bërë thirrje për proces më të shpejtë të dhënies së dozës përforcuese të vaksinës dhe duke u bërë apel të pavaksinuarve që ta ndryshojnë mendjen.
Të mërkurën, Instituti “Robert Koch” raportoi 52.826 raste të reja me Covid-19, kur vala e katërt e pandemisë e ka përfshirë Evropën, shkruan Reuters.
“Nuk është shumë vonë për të vendosur për dozën e parë. Secili që vaksinohet i mbron veten dhe të tjerët dhe nëse një numër i mjaftueshëm i njerëzve vaksinohen, kjo është rruga për të dalë nga pandemia”, tha kancelarja në largim.
Ajo shtoi se duhet të ketë një “përpjekje kombëtare” për të siguruar shpërndarje masive të dozës përforcuese të vaksinës, pasi mbrojtja e ofruar nga vaksinat ka filluar të tkurret gjashtë muaj pas dozës së dytë.
Disa rajone të Gjermanisë tashmë kanë filluar që të marrin masa, pasi vendi regjistroi disa herë rekorde të rasteve ditëve të fundit. Rajoni i Berlinit ka vendosur masa kufizuese për të pavaksinuarit dhe për ata që nuk e kanë kaluar Covid-in, ndërsa Mynihu e ka anuluar tregun e famshëm të Krishtlindjeve.