Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar se Gjermania është gati të humbasë kontrollin e luftës së saj kundër coronavirusit, derisa thuhet si iu tha kolegëve që situata është kërcënuese.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, gjatë një takimi të brendshëm me partinë, detajet e së cilës u zbuluan nga pjesëmarrësit, kancelarja tha se “vendin e presin disa muaj shumë të vështirë”.
Të premten Merkel do të mbajë një takim me udhëheqësit e 16 landeve ku pritet që të diskutojnë për kufizimet e reja në përpjekje për ta parandaluar përhapjen.
Kancelarja gjermane edhe ditë më parë iu bëri thirrje banorëve që të shmangin kontaktet si dhe të minimizojnë udhëtime joesenciale.
Gjermania sikurse edhe disa vende evropiane po përballet rëndë me pandeminë e coronavirusit, derisa rritjet ditore raportohen të jenë shumë më të larta se sa në valën e parë.