Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka thënë se i vjen keq që propozimi i saj për ashpërsim të masave gjatë Festës së Pashkëve ka shkaktuar më shumë pasiguri dhe u ka kërkuar falje gjermanëve.
Publiku në Gjermani është i frustruar me procesin e ngadalshëm të vaksinimit dhe zgjatjen e afatit të masave kufizuese. Zemërimi u shtua edhe më shumë kur qeveria njoftoi për disa ditë shtesë në izolim gjatë festës në fillim të prillit.
Në një konferencë për gazetarë të mërkurën në mëngjes, Merkel tha se plani i saj për izolim të vendit gjatë Pashkëve ka qenë gabim i saj personal dhe se gabimet duhet të quhen si të tilla, shkruan The Guardian.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se varianti i ri i koronavirusit, që së pari u zbulua në Britaninë e Madhe dhe që tani po përhapet edhe në Gjermani, është më i rrezikshëm për të rinjtë.
“Mutacioni britanik – dhe ky është dallimi me pranverën – është dëshmuar të jetë më i rrezikshëm te fëmijët dhe të rinjtë, prandaj duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi mbrojtjes së shkollave sesa në rastin e variantit origjinal”, deklaroi Merkel para ligjvënësve gjermanë.
Sidoqoftë, sipas një studimi të spitalit “King College Hospital” në Londër muajin e kaluar, nuk janë gjetur dëshmi që fëmijët dhe të rinjtë të jenë sëmurë më rëndë gjatë valës së dytë.