Merkur Beqiri nga Alternativa prezanton prioritetet për Prishtinën: Do ta bëjë qytetin më të jetueshëm

Prishtinë | 28 Sht 2025 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Alternativës për kryetar të Prishtinës, Merkur Beqiri, ka prezantuar prioritetet kryesore të fushatës së tij, duke theksuar nevojën për zgjidhje multidimensionale dhe veprim të koordinuar ndërsektorial për ta bërë qytetin më të jetueshëm.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Beqiri ka identifikuar trafikun e rënduar si një nga problemet më urgjente, duke propozuar riorganizimin e korsive dhe fuqizimin e transportit publik.

“Për të ushtruar detyrën e një kryetari të komunës një nga përparësitë është që jo të jesh ekspert në një fushë, por të dish si të mbërthesh problemet që kërkojnë zgjidhje multidimensionale duke vepruar prej sektorëve të ndryshëm. Prej që kemi vendosur të hyjmë në këtë garë për zgjedhjet lokale me subjektin Alternativa, jemi duke hulumtuar se cilat janë prioritetet për të përmirësuar jetën në Prishtinë. Ashtu siç kemi parë nga komuniteti, disa nga çështjet që janë prioritare sipas ankesave dhe kërkesave në të gjitha pjesët e Prishtinës, është që të rregullohet çështja e trafikut. Është brengosëse, sepse trendi është që do të ketë edhe më shumë automobila në Prishtinë dhe numri mund të dyfishohet dhe të trefishohet, ndërsa që rrugët nuk po zgjerohen, as mundësitë për alternativë; transporti publik nuk po forcohet, por po mendohen zgjidhje të tanishme. Transporti duhet të adresohet urgjentisht, duhet të riorganizohen korsitë për autobusë dhe automjete të cilat tani janë të segmentuara dhe duhet të bëhet desegmentimi i tyre”, tha Beqiri.

Ai gjithashtu theksoi mungesën e hapësirave të gjelbra, duke thënë se Prishtinës i duhen të paktën 70 hektarë të rinj për të arritur minimumin e rekomanduar nga OBSH.

“Pjesë tjetër që është urgjente është rritja e hapësirave të gjelbërimit. Kemi bërë një llogari që Prishtinës i nevojiten edhe 70 hektarë gjelbërim për të pasur më pak se minimumin e asaj që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ne kemi trefish më pak sesa është minimumi i rekomanduar. Ne synojmë të identifikojmë të gjitha hapësirat publike, të cilat janë të pashfrytëzuara dhe t’i shndërrojmë në hapësira multifunksionale, të cilat edhe gjelbërohen. Ta shndërrojmë Prishtinën në një qytet të jetueshëm. Duhet të veprojnë të gjitha sektorët në mënyrë paralele për ta bërë Prishtinën më të jetueshme. Një nga këto është edhe trajtimi i qenve endacakë, të cilët paraqesin rrezik për fëmijët që shkojnë në shkollë. Ne kemi ankesa. Kemi zgjidhje për këtë”, shtoi ai.

Kandidati i Alternativës foli edhe për trajtimin e qenve endacakë, digjitalizimin e shërbimeve komunale, përmirësimin e kushteve në arsim dhe shëndetësi si dhe fuqizimin e mjekësisë familjare si pjesë e vizionit të tij për një “smart city” dhe një Prishtinë më funksionale.

“Një nga caqet tona për jetueshmërinë në Prishtinë është koncepti i smart city, që të digjitalizohen të gjitha shërbimet në komunë, që 70 për qind e shërbimeve të komunës të jenë të digjitalizuara dhe të synojmë që të gjitha të digjitalizohen. Janë edhe sektorët e tjerë si arsimi, shëndetësia e të tjera. Në një paralele kemi 36 nxënës, që është kundërproduktive. Edhe kushtet higjienike në një ambient të tillë me 36 nxënës dhe tre ndihmës janë të pamjaftueshme për higjienën elementare. Këto gjëra duhet të shikohen, të ketë barazi brenda komunës. I kemi 13 mjekësi familjare në qendër dhe 17 në pjesën rurale. Duhet të shikohet që mjekësia familjare të zbatojë qëllimin dhe të forcohet që të aplikohet mjekësia familjare nëpërmjet mjekut familjar. Me rregullimin e çështjes së trafikut, çdo pore funksionon më shpejt, më lehtë”, theksoi Beqiri.

Të ngjashme