Telekomi ka marrë vendim që të shkëpus kontratën me Z-Mobile nga 30 korriku i këtij viti, raporton Ekonomia Online. Kontrata 10 vjeçare e Telekomit të Kosovës me kompaninë Z-Mobile do të shkëputet.
Lajmin e ka bërë publik Bedri Istrefi, kryeshef i Telekomit, para punëtorëve që po protestonin kundër vazhdimit të kontratës me Z-Mobile.
“Na vetëm jemi edhe në takim në aspektin financiar ku e kemi kontraktuar një kompani amerikane, kemi pranuar. Njoftim zyrtar nga ekspertiza e jashtme na jep të drejt neve PTK-së, që shkëputja vazhdon nga data 30 korrik”.
“…pjesa tjetër e ekspertizës financiare jemi duke e diskutuar, por për shkak të korrektësisë erdha t’ua jap këtë lajm që u shkon njoftimi për shkëputje”.
Fillimisht Federata Sindikale e Postë Telekomit të Kosovës ka protestuar para objektit qendror në “Dardani” kundër vazhdimi të kontratës me Z-Mobile.
Gjatë protestës ata kanë shpalosur kërkesat e tyre drejtuar institucioneve përgjegjëse dhe afatet për përmbushjen e tyre, si dhe hapat e mëtutjeshëm të kësaj sindikate nëse dikush pretendon ta vazhdojë kontratën me Z-Mobile.
Kryetari i sindikatës Lahmi Balaj tha se kontrata me Z-Mobile është kontratë korruptive dhe e dëmshme për Telekomin e Kosovës.
“Kërkojmë nga menaxhmeti ta njoftoj Z-Mobile për mos vazhdimin e kontratës. Kërkojmë nga bordi ta mbështes këtë. Kërkojmë nga Qeveria ta përkrah bordin për mos vazhdimin e kontratën prej Z-Mobile. Kërkojmë nga Qeveria ta kthej devindetntën. Kërkojmë nga qytetarët të na përkrahin”.
“Ne pas 30 korrikut do të ndryshojmë formën e protestës. Ne jemi të bindur që së bashku do ta arrijmë këtë qëllim. Zotohemi se do ta ndalim shkatërrimin e PTK-së nga krimi dhe korrupsioni”.
Rashit Gashi u ka kërkuar punëtorëve të Telekomit që të vazhdojnë me protesta deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Ju inkurajojmë të vazhdoni rrugën tuaj të drejtë mos lejoni në asnjë formë të ju gjejë ajo çfarë na gjeti neve”.
Kjo protestë u përkrah edhe nga sindikata e punëtorëve të KEK-ut dhe KEDS-it.
“Në emër të KEK-ut më lejoni të solidarizohemi me ju, e dimë se kontrata me Z-Mobile është e dëmshme. Ju kisha lut të jeni unik në mbrojtje të kompanisë suaj që mos të privatizohet”, tha Nexhat Sllumnica nga sindikata e KEK-ut.
Inxhinieri i Telekomit, Fatmir Zeqiri, tha se kontratat me Z-Mobile i ka shkartuar dëm të madh Telekomit.
“104 milionë humbje, 79 milionë bruto fitim bruto për Z-Mobile. Vetëm 5 milionë ata deklaruan fituan për 10 vite”.
“Sikur të mos ishte kjo kontratë me Z-Mobile, 140 milionë të hyra do të kishte më shumë për PTK. Kjo kontratë na ka shkatërruar edhe dinjitetin e PTK-së”.
“Z-Mobile merr shërbime të gatshme dhe me shërbime shumë të lira dhe nën kosto, 55 milionë euro kosto. Ata që i mbyllin sytë para kësaj janë po aq të fajshëm”.