Policia e Kosovës sot rreth orës 06:00 të mëngjesit Policia e Kosovës ka pranuar informacionin se në lagjen Ulpianë, saktësisht rruga “Hakif Zejnullahu” në Prishtinë, në një banesë, një fëmijë ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Njësiti policor ka reaguar me shpejtësi në atë lokacion dhe aty është gjetur fëmija (gjinia femërore, viti i lindjes 2014), i cili në gjendje të rëndë shëndetësore me ndihmë të shpejtë është përcjellë për në QKUK.
Në vendin e ngjarjes Policia ka konstatuar se ishte duke u djegur një banesë ku dyshohet se kanë banuar viktima me nënën e saj shtetase e Shqipërisë ( e dyshuara femër E.A. viti i lindjes 1990). Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e zjarrfikësve të cilët kanë shuar zjarrin, përderisa nga stafi mjekësor rreth ores 07:43, është pranuar informacioni se fatkeqësisht fëmiu nuk ka mund të mbijetoj.
“Policia e Kosovës me autoritete kompetente po heton rrethanat dhe shkaqet se si ka ndodhur ky incident tragjik dhe sipas vendimit të prokurorit kujdestar i cili poashtu ka dalë në vendngjarje ndaj të dyshuarës femër shtetase e Shqipërisë është lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar dhe e njëjta është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha për “Indeksonline”.
Sipas PK-së, dyshohet që ajo (e dyshuara femër E.A. viti i lindjes 1990) nuk ka qenë aty kur banesa është djegur dhe viktima (fëmija) ka qenë i vetëm gjatë incidentit. Trupi i pajetë i fëmiut është dërguar për obduksion, përderisa hetimet nga njësitet kompetente janë në proces nën dyshimin se është kryer vepër penale “shkelje të detyrimeve familjare”.