Për të dytën herë protestuesit në Lushnjë u ngritën kundër uljes së kompensimit të TVSH-së për produktet bujqësore.
Sipas tyre vendimi i Ministrisë së Financave po i çon drejt falimentit.
“Jemi të falimentuar nëse kjo situatë do të vazhdojë”, thanë disa prej tyre të mbledhur në rrugën Lushnje-Fier.
Edhe këtë herë ata derdhën në rrugë qumështin dhe produktet bujqësore.
Ndërsa duke komentuar situatën ish- deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu shkruan se bujqësia në Shqipëri është lënë në mëshirë të fatit.
“Është ekstrem, dhe e dhimbshme, hedhja e asaj që prodhon me aq mund!
Mjafton të shikosh këto foto, dhe e kupton çfarë krimi ka kryer rilindja ndaj sektorit të bujqësisë.
Fermerë të pashpresë, të cilët hedhin në rrugë produktet e tyre pasi nuk shiten.
Ndryshimi i skemës së rimbursimit nga 20% në 6 %, ka bërë që grumbulluesit ti kthejnë kurrizin fermerëve.
Këta të fundit kanë marrë vendimin drastik, për të protestuar duke hedhur investimin e tyre.
Krahasuar me Bashkimin Evropian dhe Ballkanin, Shqipëria mbetet vendi që financon më pak sektorin e bujqësisë. Në BE çdo fermer merr 60 euro për çdo hektar, ndërsa në Shqipëri merr tre herë më pak.
Bujqësia është lënë në mëshirë të fatit, konkurruar keqas nga importet.
Ndryshe nga një vit më parë ku ishin rreth 20 milion euro grante, në 2019 janë vetëm 4 milion euro që do të shkojnë për mbështetjen e blegtorisë dhe bujqësisë.
Nuk ka asnjë shpresë financimi dhe ndihme nga dikush që paturpësisht mashtroi mësues e mjekë për rritje pagash më 1 Prill.
E vetmja shpresë janë protestat masive, për të hedhur në rrugë qeverinë më të korruptuar ne Europë dhe jo prodhimet e mundit dhe djersës së fermerëve!”, shprehet ai.