Nga Arsim Ajeti
Vitin e kaluar, Banka Botërore njoftoi se Kosova mbylli me sukses projektin e shumëpritur të digjitalizimit infrastrukturor, duke realizuar kështu shtrirjen e internetit në të gjithë territorin e saj.
Ky ishte një projekt i inicuar dhe mbështetur nga vetë Banka Botërore, duke e bërë kështu Kosovën lidere në rajon, përsa i përket infrastrukturës digjitale, e cila padyshim konsiderohet si avantazh kur marrim në konsideratë treguesit e zhvillimit ekonomik dhe jo vetëm.
Fshati Herticë, në mënyrë simbolike bëhet vendi i fundit që siguron qasjen në internet dhe kështu Kosova futet mes shteteve të zhvilluara globale që kanë mbi 95% të territorit të tyre të lidhur me internetin. Por nga ana tjetër, Kosova mbetet e vetmja me infrastrukturë moderne që shënon ngecje nga grupi i vendeve me infrastrtrukturë të avancuar.
Pritshmëritë ishin të larta për Kosovën, sikurse për Estoninë, e cila shërben si shembull në Evropë kur kemi të bëjmë me digjitalizimin e të gjitha shërbimeve administrative dhe minimizimin e aferave korruptive në të njëjtën kohë, duke bërë kështu rritjen më të madhe të të ardhurave për frymë banori sipas Bankës Botërore.
Megjithatë, Kosova mbetet pa ndonjë progres të theksuar dhe në vend që të bëhet një forcë rajonale në ekonominë digjitale, siç e quajnë ekonomistët këtë fenomen ajo mbetet pikërisht aty ku ka qenë vite më parë, pra e fundit në rajon.
Në fakt, Kosova renditet e 128-ta në listën e 154 vendeve në arritjet inovative, sipas matjeve të fundit të institutit Riinvest, dhe rezultatet e fundit nga PISA tregojnë se jo vetëm në ekonomi, por edhe në lëmin e shkencës dhe lexueshmërisë Kosova shënon regres. E vetmja gjë me të cilën Kosova realisht mund të mburret sot është ‘ndihmesa’ që po i bën shtetit Gjerman me inxhinierët e saj softuerikë, duke i dhënë ‘gratis’ kuadro të kualifikuar dhe duke mos marrë asgjë në këmbim.
Kosova, në vend që të fokusohet në përparsitë që ajo ka me brezin e ri përmes shtrirjes së internetit në territorin e saj, ajo e bën të kundërtën, dhe si rrjedhojë kemi stagnim ekonomik dhe migrim social, e tëra kjo si paftësi e politikëbërësve lokal. Dhe si rregull i pa shkruar, kur pritshmëritë nuk përmbushen, avantazhi kthehet në disavantazh.
Grupet asociale në rrjetin social ‘Telegram’ (siç kemi rastin me Albkings) janë simptomatike se çfarë mund të ndodhë me një shoqëri ku nuk ka politika zhvillimore, dhe aksesi i pakontrolluar në internet merr kahje të padëshiruar.
Ndërsa perceptimi i lartë i korrupsionit, duke filluar nga administrata e mbingarkuar shtetërore e deri tek manipulimet me tenderët një burimorë dhe jo vetëm, e bën Kosovën të renditet lartë në listën e organizatës prestigjioze ‘Transparency International’ si një vend me korrupsion endemik për vite me rradhë.
Nuk është aspak rastësi që vendet me korrupsion të lartë përballen me të njëjtin problem, pra ato kanë migrim të lartë dhe shumë pak apo aspak investime direkte- strategjike.
Tendenca e fundit e votuar në Kuvend për prurjen e të burgosurve danezë në Kosovë, që më pas Kosova të merr para për këtë gjë, nxjerr në pah edhe një herë paaftësinë e politikëbërjes vendore, të cilët me vendime të pa studiuara mirë vazhdojnë të dëmtojnë imazhin e Kosovës.
Pothuajse dy dekada që kur Kosova shpalli pavarsinë, ajo ende nuk ka ndonjë strategji konkrete për zhvillim nacional, dhe në mungesë të një strategjie të mirëfilltë, qoftë ajo afatmesme apo afatgjatë, publikut i servohen çështjet që nuk kanë të bëjnë fare me mirëqenien e tyre.
Temat si dinari, krizat në veri, dhe asociacioni që askush nuk e ka idenë se ku fillon dhe ku mbaron e bëjnë Kosovën një vend jo serioz dhe aspak tërheqës për investitorët e huaj.
Shqetësimi i vetëm duket se janë zgjedhjet e reja, zgjedhjet për të mos zgjedhur asgjë dhe vazhdimi i avazit të vjetër, I cili gradualisht po e vulos perceptimin e korrupsionit shtetëror, duke e lënë kështu qytetarin Kosovar në mëshirën e fatit se një ditë do të bëhet më mirë.
Fat të ngjashëm kishte edhe Jozef K, një personazhi në kryeveprën e Kafkës, ‘Gjykimi’.
Kafka, në hollësi shtjellon absurditetin e një regjimi autokratik, ku procesi gjyqësor sfidon logjikën, pasi të gjithë duan ta shpallin qytetarin e ndershëm, Jozef K si fajtor, por askush nuk e di arsyen pse?
Për gjykatën, e rëndësishme ishte që ai të shpallet fajtor dhe rasti të mbyllet sa më parë, ndërsa për fatin e tij, ngjashëm si për fatin e 1.5 milionë qytetarëve të Kosovës, si duket askujt për asgjë nuk po i behet vonë.