Mesazhe të rrepta të Moskës për Ankaranë dhe Kievin: Ukraina përdor dronët e prodhimit turk

Prishtinë | 04 Dhj 2021 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Presidenti rus Vladimir Putin i tha homologut të tij turk Erdogan, gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve të premten, se Ukraina po përdor drone Bayraktar të prodhimit turk në zonën e konfliktit në rajonin e Donbasit.

Sipas një deklarate të Kremlinit, “presidenti rus ka tërhequr vëmendjen për faktin se Kievi po vazhdon linjën shkatërruese, e cila synon të minojë marrëveshjet e Minskut”.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se kjo linjë katastrofike konfirmohet nga aktiviteti provokues i Forcave të Armatosura të Ukrainës në zonën e konfliktit, që përfshin përdorimin e dronëve sulmues Bayraktar. “U theksua se Kievi duhet të braktisë çdo përpjekje për të përdorur forcën në Donbas”, thuhet në deklaratë.

Presidenti rus informoi gjithashtu homologun e tij turk për rezultatin e një takimi trepalësh të liderëve të Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë më 26 nëntor në Soçi.

Të mërkurën, zëdhënësi i presidentit rus Dmitry Peskov kishte përjashtuar mundësinë e një bisede telefonike mes dy liderëve më 3 dhjetor, gjatë së cilës mund të diskutohej çështja e Ukrainës. Duke komentuar deklaratat e Erdoganit se Turqia është e gatshme të ndërmjetësojë në zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Peskov kishte theksuar se kjo varet nga mënyra se si do të shprehet një ndërmjetësim i tillë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme