Sulmuesi i Bayern Munich, Robert Lewandowski ka dhënë mesazh frymëzues, menjëherë pasi e fitoi Ligën e Kampionëve për herë të parë në karrierë, duke thënë “Mos u dorëzo kur dështon. Gjithmonë ëndërro”.
Bayern Munich e mposhti 1:0 PSG-në në finalen e së dielës në Lisbonë, falë golit të Kingsly Coman në fillim të pjesës së dytë, duke e siguruar trofeun e gjashtë evropian dhe e kompletoi tripletën për herë të dytë në histori të klubit, transmeton Gazeta Express.
Në një ndeshje goxha të barabartë, goli i Coman ishte dallimi i vetëm mbrëmjen e së dielës, ku Bayerni u bë klubi i parë që e fiton trofeun më të çmuar evropian për klube duke i fituar të gjitha ndeshjet.
Për sulmuesin polak, i cili nuk e kishte fituar kurrë Ligën e Kampionëve, kjo ishte nata më e paharrueshme.
“Gjithmonë ëndërro. Kurrë mos u dorëzo kur dështon”, shkroi Lewandowski në Instagram, i cili e shijoi një sezon madhështor me 55 gola në të gjitha garat.
“Puno zellshëm për ta arritur synimin. Faleminderit për përkrahje dhe që u keni besuar aftësive tona. Ne jemi kampionë të Evropës!”