Vendimi i Parlamentit të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtrinë e shtetit të Kosovës ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në një postim në rrjetin social “Twitter”, Stoltenberg shkruan se e kundërshton vendimin e krijimit të ushtrisë në Kosovë, përkundër shqetësimeve të shprehura nga NATO.
Në fund, ai shkruan se të gjitha palët tanimë duhet të garantojnë se krijimi i ushtrisë në Kosovë nuk do të rrisë tensionet në rajon.
Të njëjtën linjë reagimi ka mbajtur edhe zëvendëssekretarja e NATO-s, e cila ishte në një vizitë në vendin tonë, e gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shprehu këtë qëndrim për krijimin e ushtrisë së Kosovës.
“Dua të bëj një koment të shkurtër për ngjarjen në Prishtinë këtë mëngjes. Sot autoritetet kosovare kanë bërë me dije adopotimin e 3 ligjeve që bëjnë të mundur tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës për krijimin e Forcave të Armatosura. Ashtu siç ka theksuar dhe Sekretari i Përgjithshëm, ne shprehim keqardhjen që ky vendim është marrë në kundërshtim me pëlqimin e NATO-s. Por, nga ana tjetër, dua të theksoj se vendimi i sotëm i marrë nga autoritetet kosovare nuk do të krijojë tensione në rajon. Të gjithë aktorët politikë në rajon duhet t’i mëshojnë diskutimit dhe dialogut për një rajon më të qëndrueshëm”, tha Rose Gottemoeller, zv.sekretare e NATO-s.
Ndërsa ministrja shqiptare e Mbrojtjes ka përshëndetur krijimin e ushtrisë në Kosovë.
“Vetëm pak minuta më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi krjimin e ushtrisë. Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dua të përshëndes këtë vendim historik, që do t’i shërbejë frymës euroatlantike dhe paqes në rajon”, tha Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes. “Njëherësh vlerësojmë vendosmërinë e autoriteteve kosovare për të vazhduar bashkërendimin e ngushtë me Aleancën, si dhe politikën e dyerve të hapura”. /Top Channel