Meshkujt janë ndryshe

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 17:42 | Nga Arianit Koci

1.
Kisha pasë dëshirë të them që në Kosovë të drejtat gjinore janë të barabarta.

Por jo, nuk janë.

Barabarësia është vetëm në letër.

Femrat janë të diskriminuara në të gjitha sferat e jetës: në familje, në punë në rrugë.

Edhe rrahen.

2.
Gratë i rrahin gati krejt: prej analfabetit e deri te intelektuali. Prej punëtorit të krahut, e deri te politikani.
Prej mjekut te juristi.
Prej arkitektit e deri te afaristi.

Ka raste kur personat publikë ia thyejnë nofullën gruas.

Shumica e rastrve nuk lajmërohen.

Madje, edhe kur lajmërohen – pahiri, bëhet çmos që të çlajmërohen, pas një kohe.

Më së shumti, vetë femrat e abuzuara insistojnë t’i tërheqin kallëzimet kundër burrave.

Po ju flas prej përvojës.

3.
Në shumë raste, organet kompetente, por edhe rrethi shoqëror, rrahjen e gruas e quajn “mosmarrëveshje”, që mund t’i ndodh gjithkujt.

Përndryshe, prapambeturinë tonë po e ilustroj me një rast:
Kur mashkulli tradhëton, rrethit shoqërore i duket gati si normale.

Mashkulli bën me tradhëtu.

Kur tradhëtinë e bën gruaja – ndodh kataklizmë. Fundi i botës.

“Eee meshkujt janë ndryshe”, kam dëgjuar të thonë edhe femrat madje.

4.
Shikojeni skenën politike: 
Shumicës së politikanëve, gratë nuk ia kemi parë gati kurrë.
Të njëjtit, i kryejnë krejt punët madhore me mentalitet të odës, apo në odë, aty ku gratë nuk preferohet të hyjnë.

Për shkak të ambientit primitiv – shumë femrave iu duket normale të jetojnë në kushte të diskriminimit të hapur.

Prandaj, nuk duhet të habitemi kur vriten gratë, femrat apo motrat tona.

Shumica prej nesh e kultivon por edhe e aplikon apo e ka aplikuar, dhunën fizike apo psiqike ndaj femrës, së paku njëherë në jetë.

Të ngjashme