Studentët e huaj nuk nisen me pritje të mëdha drejt Kosovës. Shumicën e informacioneve i kanë marrë prej mediave ndërkombëtare, që i japin hapësirë vetëm kur shteti më i ri në Evropë rrok vëmendjen në aspektin politik.
Në të shumtën e rasteve, si pasojë e krizave politike që lidhen me proceset integruese të rajonit në Bashkimin Evropian, që njëherësh u shërben si ndërmjetës shteteve të Ballkanit që t’i zgjidhin kontestet e lidhura me luftërat e viteve nëntëdhjetë në ish-Jugosllavi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Dhe çështja e sigurisë është shqetësimi më i madh për familjarët dhe miqtë e studentëve të huaj që fitojnë bursa të programit të Komisionit Evropian, “Erasmus+”, para se të nisen për në Kosovë.
Braziliani Bruno Abade Möller (28) ishte në dilemë të madhe për të zgjedhur ndërmjet Tunizisë dhe Kosovës, si student i Universitetit Beira Interior në Covilhã të Portugalisë, për të vazhduar një semestër të studimeve master në marrëdhëniet ndërkombëtare. Tunizia, shteti ku lindi “Pranvera arabe” në dhjetorin e vitit 2010, përballet kohë pas kohe me kriza politike, derisa po orvatet të stabilizohet si demokraci e re. Si Kosova.
“Isha personi i parë i krisur që doja të shkoja në Tunizi, dhe shokët më thoshin: ‘Bruno mos shko, atje është situatë e jashtëzakonshme’”, tregon Möller, i cili prezantohet si latinoamerikan i hapur që ka jetuar edhe në Holandë. I pëlqen të njohë kultura të ndryshme. Krejt tjetër pikëpamje kishte para se të nisej para tri javësh për në Kosovë.