Mësimi pritet të nisë nga shtatori në shkolla, MASh-i kërkon buxhet shtesë nga Qeveria

Prishtinë | 12 Gus 2020 | 12:57 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka raportuar në komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021, raporton Ekonomia Online.

Likaj gjatë raportimit tha se kanë përgatitur një master-plan që ka tri skenarë. Skenari i parë është më i preferuari, tha ai ngase është planifikuar që mësimi të nis në shkolla, por duke respektuar masat e rekomanduara.

Ai tha se kanë rekomanduar që secila shkollë të formojë task-forcën, për tu përballur me pandeminë.

Likaj tha se duhet buxhet shtesë që është jashtë buxhetit, që është miratuar nga Qeveria.

Mes tjerash ai ka shtuar se mësimi në distancë mund të aplikohet vetëm në ndonjë shkollë që ka numër të madh të të infektuarve me Covid-19, raporton EO.

“Ne kemi përgatitur një master-plan që ka tri skenarë që është për mësim të rregullt me 1 shtator në shkolla duke respektuar kushtet dhe duke u bazuar në një varg dokumentesh. Kemi përgatitur koncept dokumentet për secilën fazë, për klasën 1 deri 9 dhe kemi përgatitur monitorim për mësimin në distancë”.

“Skenari i dytë është mësim edhe në shkollë edhe në distancë dhe ai treti është më i keqi mësimi në distancë, por do ta aplikojmë vetëm te ndonjë shkollë që ka numër të madh të nxënësve apo stafit të infektuar. Skenari me i pëlqyer për ne është skenari i parë duke i respektuar masat e rekomanduara”, tha ai, raporton EO.

“Ne kemi rekomanduar qe secila shkollë me e formuar task-forcën e vet në rast se lajmërohen rastet me Covid. Kërkohet buxhet shtesë që është jashtë buxhetit që është miratuar dhe i kemi bërë kërkesë Qeverisë për fonde shtesë për tu përballur me këtë situatë që po ballafaqohemi”.

“MASh do t’i ketë donacion mbi 1.4 milion dhe kemi siguruar donacione mbi 1.2 milion”, ka thënë Likaj.

Ministri Likaj gjatë raportimit ka theksuar se në ligjin për tekste është bërë progres. Ai tha se kanë vonesa në tekstet e klasës së tretë,  tetë dhe dymbëdhjetë.

Likaj ka thënë se të gjithë mësimdhënësit do të paguhen njejtë pa marrë parasysh nacionalitetin.

“Në ligjin për tekste kemi bërë progres, për librat  e klasës të tretë, tetë dhe 12 jemi pak me vonesë. Qëllimi jonë është të ketë tekste të standardizuara. Për dy muaj janë paguar 300 euro mësimdhënësit turq dhe dy muaj të plotë janë paguar, të gjithë arsimtarët do të paguhen njëjtë dhe për këtë zotohemi, por pagesa është bërë konform listave që na kanë ardhur prej DKA-ve”

Ai ka shtuar se janë rreth 14 mijë pajisje teknike për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Fëmijët me nevojë të veçanta që nuk kanë pasur mundësi në qasje në mësimin në distancë ne kemi kërkuar nga DKA-të ti sjellin emrat e tyre dhe ne i kemi 14 mijë pajisje për ta dhe këta, fëmijë do ti marrin dhe arsimtarët, por do të mbesin në emërtë ministrisë. Ne kemi organizuar testin e maturës për fëmijët që kanë qenë të regjistruar jashtë shtetit dhe të gjithë e kanë kaluar atë me sukses”.

Fitim Uka nga VV-ja ka thënë se skeneraët e përgatitur janë model ndërkombëtar, mirëpo ai ka kërkuar qe këto tri skenare të kenë një analizë.

“Realisht kam shprehur shqetësimin tim pwr  shkurtimi i buxhetit të arsimit prej 11.7 milionë euro do të paraqes problem substancial dhe po më duket e pakuptimtë që në njërën anë qeveria të bëjë shkurtim të buxhetit e tash të kërkohet serish buxhet shtesë. Tre skenarët që i prezantuar janë një lloj modeli ndërkombëtar, mirëpo a janë këta skenarë të mbështetur në analizë, 32 mijë nxënës nuk i janë nënshkruar mësimit në distancë., ka thënë Uka.

Ndërsa deputetja e PDK-së Eliza Hoxha ka kërkuar që të shqyrtohet dhe të punohet edhe me higjienën në shkolla dhe jo vetëm në kohë pandemie.

“Kjo pandemi do të na kthej  te higjiena bazë, kot ne mundohemi me i mësuar fëmijët me i la duart, por edhe sot higjiena nëpër shkolla është e tmerrshme për atë çështje duhet me shqyrtua edhe tutje.

Deputeti, Sejdi Hoxha ka thënë se testi i maturës me 29 gusht mund të rrezikojë shëndetin e fëmijëve të infektohen me virus në prag të vitit të ri shkollor.

“Testin e maturës e keni shtyrë me datën 29, dhe ky mundet me qenë element negativ që fëmijët me u infektuar sa të fillon mësimi në shtator. Ministria të sheh ndonjë alternativ që fëmijët mos të rrezikohen me testin e maturës.”

Të ngjashme