Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, ka thënë se në hapësirën e Ballkanit sot mund të konstatohet se po jetojmë në një atmosferë “të luftës së ftohtë”.
Sipas tij, në disa shtete të rajonit po harrohet se Kosova është e pavarur dhe Bosnja e Hercegovina janë një.
Mesiq i bëri komentet në konferencën ndërkombëtare me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan- Roli i Parlamentarëve”, që ka nisur sot në Prishtinë.
Në konferencën dyditore po marrin pjesë burrështetas, parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile nga Ballkani dhe Evropa, përfshirë ish-presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu; ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq; ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu; Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë etj.
Mesiq, i cili drejtoi Kroacinë për 10 vjet (2000-2010), duke folur për situatën e sigurisë në vendet e Ballkanit, tha se nuk ka përpjekje të mjaftueshme për të tejkaluar të kaluarën, madje ka provokime pro-fashiste çdo ditë.
“Sikur po jetojmë në një ‘luftë të ftoftë’… Në disa mjedise harrohet se pavarësimi i Kosova i ka dhënë fund arkitekturës së rajonit tonë dhe se Bosnja dhe Hercegovina është një”, tha Mesiq, raporton Ekonomia Online.
Ish-presidenti i Shqipërisë (2002-2007), Alfred Moisiu, tha se në rajonin e Ballkanit, të trazuar nga luftërat e tensionet ndëretnike, duhet të krijohet një klimë për zhvillim e mirëkuptim në mes njerëzve dhe politikës.
“Në Ballkan janë realizuar luftëra të ndryshme, për fat të keq, duke u derdhur gjak dhe duke lënë pas vetes dëme të shumta dhe urrejtje… Për të pasur zhvillim dhe marrëdhënie midis nesh duhet gjetur dhe mbështetur ato që kemi të përbashkëta”, porositi Moisiu, duke përmendur me këtë rast sportin.
Ndërsa, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, (2006 – 2010), lavdëroi Federatën për Paqe Universale për organizimin e konferencave të këtilla që mund të japi kontribut për zgjidhjen e temave të ndryshme.
“Sfidat që kemi në Kosovë nuk janë të pakta, por besoj se me kohën dhe punën do të kapërcehen”, u shpreh ai.
Por, Sejdiu veçoi Serbinë si një shtet që nuk po e pranon ende realitetin e ri të krijuar në Ballkan. “Fatkeqësisht edhe sot kemi thirrje te kthimit në ‘Kosovë dhe Metohi, o me hatër o me luftë’, siç thotë Patriku Irinej”, tha Sejdiu.
Në konferencën “Kultura dhe Paqja në Ballkan- Roli i Parlamentarëve”, që zgjat dhe nesër, do të trajtohen temat: Trashëgimia e përbashkët kulturore si një bazë e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Ballkan; Diplomacia ndërparlamentare dhe bashkëpunimi rajonal; Forcimi i familjes, thelbi i trashëgimisë kulturore të Ballkanit; Ndërtimi i një mjedisi me prosperitet të përbashkët për gjeneratat e ardhshme.
Thomas Walsh, kryetar i Federatës për Paqe Universale, që e organizon këtë ngjarje, ka thënë se nga konferenca do të lansohet Iniciativa e Parlamentarëve për Paqe në nivel të Ballkanit, e cila synon ndërtimin e marrëdhënieve më të mira ndërmjet vendeve të rajonit.