Mësohen disa nga shkaktarët që mund të kenë quar te tragjedia në Itali

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Sektori i mirëmbajtjes së teleferikut Stresa-Mottarone në Itali përfundon nën akuzë pas tragjedisë ku humbën jetën 14 persona.

Autoritetet kanë nisur hetimet dhe po shqyrtojnë arsyet pse kavoja u këput dhe pse kabina nuk mbeti varur tek litarët mbështetës por ra në tokë. Një hipotezë është që sistemet e sigurisë dhe mekanizmi i frenës së emergjencës nuk hynë në funksion.

“Besoj se ka qenë një problem i dyfishtë, këputja e kavos dhe mungesa e funksionimit të frenës së emergjencës. Nuk e dimë pse nuk është aktivizuar, por mungesa e frenimit ka bërë që kabina të merrte shpejtësi në zbritje duke përfunduar e katapultuar jashtë kavove të mbështetjes”, u shpreh Matteo Gasparini, përgjegjës i ekipit të shpëtimit.

Prokuroria nuk përjashton as pistën e krimit me dashje ndaj sigurisë së transporteve.

Incidenti tragjik shkatërroi jetët e 5 familjeve. Mes 14 viktimave ishin dy fëmijë. I vetmi i mbijetuar mrekullisht është një 5-vjeçar, i cili është në gjendje të rëndë në një spital të Torinos.

“Është një moment i tmerrshëm për mua dhe komunitetin tonë dhe mendoj se është edhe për të gjithë Italinë. Veçanërisht tani që sapo rinisëm kthimin në normalitet.”, shprehet kryebashkiakja Marcella Severino.

Kabina e teleferikut ra 300 metra para mbërritjes në stacionin e fundit në një lartësi prej 20 metrash dhe u rrokullis për qindra metra të tjera në tokë derisa u ndalua nga pemët.

Rishikimi i fundit i përgjithshëm i linjës ishte bërë në 2014-ën, ndërsa ka pasur kontrolle të vazhdueshme ndër vite. Në 2020 u kryen verifikime në kavo dhe kompania e mirëmbajtjes parashikonte ndërrimin e tyre vetëm pas 9 vitesh.

Të ngjashme