Goli kundër Real Madridit në gjysmëfinale të Champions League, për Messin, është më i miri në karrierë.
Leo Messi ka zgjedhur golin më të mirë në karrierë në një intervistë në “947FMRadio” në Argjentinë, transmeton Gazeta Express.
Para 3 muajsh Barcelona hapi një votim për tifozët e vet, duke i ftuar të votonin për golin më të bukur në historinë e klubit.
U seleksionuan në total 64 gola dhe u krye një proces me eliminim deri në finale, ndërsa tashmë ka ardhur edhe verdikti, pas 500 mijë votash, me votues nga më shumë se 160 vende të botës.
Me shumicë absolute votash goli më i bukur në histori u zgjodh ai i shënuar nga Lionel Messi ndaj Getafes, në një ndeshje kupe, në sezonin 2006/2007 – teksa 10-shi magjik i Barcelonës pushtoi tri vendet e para.
45% të votave i mori goli ndaj Getafes, 28% një gol kundër Athletic Bilbao në finalen e Kupës së Mbretit dhe 16% një gol në Bernabeu, kundër Real Madridit në gjysmëfinale të UEFA Champions League.
Megjithatë, Leo ka një mendim krejtësisht tjetër dhe e vlerëson atë kundër Madridit si më të mirin në karrierë, po ashtu edhe golin me kokë kundër Manchester Unitedit.
“Jo, unë zgjedh një tjetër. Mua më pëlqen goli që i kam shënuar Madridit në gjysmëfinale të Champions League, për rëndësinë, për momentin, për gjithçka, ky është i zgjedhuri nga unë. Shpesh kam thënë edhe goli me kokë kundër Manchester United, e zgjedh për shkak të rëndësisë, e jo mënyrës së realizimit”, tha Leo.