Opozita do të mbajë sot protestën e radhës para Parlamentit të Shqipërisë, ndërkohë që Kryesia e Kuvendit ka vendosur të mbajë seancën plenare në orën 10:00.
Në seancën e ditës së martë pritet të bëhet betimi i katër deputetëve të LSI-së që kanë marrë të hënën mandatin nga KQZ-ja.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se vendi është në një krizë politike, kushtetuese dhe institucionale dhe se për këtë duhet dialog mes palëve. Gjatë konferencës që pati me presidentin e Sllovenisë të hënën në mesditë, Meta ka kërkuar nga palët që të rivendosin normalitetin politik pasi vendi është në pritje për hapjen e negociatave me BE-në, shkruan sot Koha Ditore.
“Deklaroj se jemi në kushte të një krize politike, kushtetuese dhe institucionale, e cila mund dhe duhet të ishte shmangur. Në mënyrë të vazhdueshme kam apeluar për dialog, për t’i paraprirë atij vendimi të rëndësishëm që pritet që nga qershori i vitit të kaluar për çeljen e negociatave. Palët të bëjnë hapa pas dhe të reflektojnë për të rivendosur normalitetin politik, kushtetues dhe institucional. Kur ka vullnet politik dhe nuk vihen interesat personale, duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençura me dialog”, ka theksuar Meta..