Meta do t’i njoftojë prindërit nëse adoleshentët kërkojnë vazhdimisht përmbajtje për vetëlëndimin

Prishtinë | 31 Tet 2026 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Kompania Meta do të nisë t’i njoftojë prindërit nëse fëmijët e tyre adoleshentë kërkojnë vazhdimisht në Facebook përmbajtje që lidhet me vetëlëndimin ose vetëvrasjen.

Masa synon të identifikojë më herët situatat e mundshme të rrezikut dhe t’u mundësojë prindërve të ndërhyjnë për t’u ofruar mbështetje fëmijëve të tyre.

Sistemi i ri do të funksionojë përmes mjeteve të mbikëqyrjes prindërore dhe do të përfshijë edhe aktivitetin e adoleshentëve në bisedat me inteligjencën artificiale Meta AI, në Facebook, Instagram dhe Messenger.

Prindërit do të marrin njoftim nëse adoleshentët kryejnë disa kërkime të lidhura me vetëvrasjen ose vetëlëndimin brenda një periudhe të shkurtër kohore. Paralajmërimet do të dërgohen përmes mesazheve telefonike, emailit, WhatsApp-it ose drejtpërdrejt në aplikacion.

Meta ka bërë të ditur se njoftimet nuk do të përmbajnë fjalët e sakta që adoleshentët kanë kërkuar dhe as përmbajtjen e bisedave të tyre me inteligjencën artificiale.

Në vend të kësaj, prindërit do të informohen për shqetësimin e mundshëm dhe do të udhëzohen se si të bisedojnë me fëmijët për këto tema të ndjeshme.

Përveç paralajmërimeve, kompania do t’u ofrojë prindërve edhe materiale dhe këshilla të përgatitura nga ekspertë, me qëllim që t’i ndihmojë të kuptojnë situatën dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme.

Kjo nismë vjen pas prezantimit të një sistemi të ngjashëm në Instagram në fillim të këtij viti. Me zgjerimin e tij në Facebook dhe Meta AI, kompania synon të forcojë masat e sigurisë për përdoruesit e mitur në platformat e saj. /Telegrafi/

Të ngjashme