Duke iu përgjigjur interesit të medies nga Kavaja, kreu i Shtetit shqiptar komentoi vendimin për të mos dekretuar shkarkimin e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe zëvendësimin e tij me Genti Cakajn.
Meta sqaroi se, për të gjithë ministrat e rinj, të cilët nuk janë prurje politike nga Kuvendi, ka nisur një proces verifikimi për integritetin e tyre.
“Për të gjithë emrat e rinj, apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë, po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre, në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”, theksoi Meta.
I pyetur për integritetin e pasuesit të Bushatit, presidenti Meta u tregua i rezervuar, duke thënë se do të respektojë afatet kushtetuese, duke shtuar se përgjigjja e tij “do të varet nga përgjigjja e institucioneve që iu është drejtuar Presidenca”./TCh