Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e ka cilësuar situatën politike në vend si të jashtëzakonshme. Ka sqaruar opinionin se më 30 qershor nuk ka pasur zgjedhje shtetërore dhe të ligjshme në Republikën e Shqipërisë, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas Metës, zgjedhjet e ligjshme shtetërore, kushtetuese janë më 13 tetor 2019. Me këtë rast, ka ftuar edhe një herë kryeministrin Edi Rama që të reflektojë dhe të mos pengojë zbatimin e dekretit të presidentit të Republikës për datën 13 tetor.
Ndërkohë, Rama nga ana tjetër ka deklaruar kategorikisht se nuk e njeh 13 tetorin dhe nuk ka një përgjigje vendimtare nga ana e liderit të opozitës zoti Lulzim Basha.
“Ajo që duhet të nënvizojë është që 13 tetori 2019 është një ditë e pashmangshme nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore. Është një detyrim për t’u zbatuar, duke filluar nga KQZ-ja, që duhej prej kohësh të kishte filluar zbatimin e dekretit të presidentit për 13 tetorin dhe të ftonte të gjithë forcat politike që kanë dëshirë të marrin pjesë në zgjedhjet vendore, jo ato që s’kanë dëshirë, dhe mund të mos kenë dëshirë asnjëherë, është e drejta e tyre”, deklaroi presidenti Ilir Meta.