Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se kontributi i tij për Kosovën do të ishte më i madh, nëse problemet e brendshme në vendin e tij do të ishin më të pakta, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Meta u shpreh i sigurt se pasardhësi i tij do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën.
Meta tha se nuk pranon asnjë falënderim që i bëhet nga krerët e Kosovës pasi ndihmën për shtetin tha se e ka obligim moral e kushtetues.
Ai shprehu keqardhje duke thënë se nuk ka bërë më shumë për Kosovën, megjithëse premtoi se që kur zyrtarisht largohet nga detyra, do të angazhohet më shumë për Kosovën.
“Nuk pranoj asnjë falënderim për arsye se kam bërë detyrë kushtetuese por edhe morale siç e ka edhe çdo qytetar i Shqipërisë dhe e vetmja keqardhje që kam është se mund të kisha bërë edhe me shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre 5 vjetëve. Por ju jap fjalën se nga dita e hënë, 25 në mëngjes, do të bëj shumë herë më tepër edhe për Kosovën”, tha ai.
“Ajo që dua sot të ju falënderoj është për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me ju dhe me gjithë institucionet e Kosovës e që do vazhdojnë në të ardhmen. Jam i bindur se edhe presidenti i zgjedhur i Shqipërisë do të vazhdojë këtë traditë shumë pozitive. Është e rëndësishme ta theksojmë këtu vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë sepse ajo çimentoi pavarësinë e Kosovës dhe rrugën e lirisë në të cilën hyri Kosova”, tha tutje Meta.