Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka marrë pjesë sot në seancën e parë të dhurimit të gjakut për vitin 2019 në qytetin e Kavajës.
Përmes rrjeteve sociale ai ka falënderuar vullnetarët në qytetin e Kavajës dhe gjithashtu ka bërë thirrje për vijimin e kësaj fushate edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.
“Me një ndjenjë të lartë humanizmi e solidariteti, dhjetëra qytetarë të Kavajës iu bashkuan sot vullnetarisht thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut” duke organizuar të parën seancë dhurimi për vitin 2019. Duke falënderuar kryebashkiakun z.Isa Sakja, jam besimplotë se kjo fushatë ndërgjegjësimi për këtë kauzë humane nuk do të ndalet por do vijojë në të gjitha qytetet e vendit për përmbushjen e qëllimit të saj qytetar dhe fisnik,”-shkruan Presidenti në rrjete sociale.
Presidenti Meta vuri në dukje se kjo seancë ka rëndësi akoma më të madhe dhe bëhet më kuptimplotë sepse janari dhe shkurti janë muaj të vështirë, prandaj është shumë e rëndësishme të rrisim sensibilizimin tonë e të organizojmë sa më shumë seanca, që të mos ketë mungesë gjaku për të gjithë ata qytetarë, të cilët kanë nevojë të vazhdueshme, por edhe për shkak të domosdoshmërisë për t’iu përgjigjur këtij detyrimi mjaft njerëzor.
“Besoj se Kavaja do ta ketë këmbën e mbarë dhe ne shumë shpejt do të organizojmë disa seanca të tjera në shumë qytete të vendit në mënyrë që të mos kemi një krizë apo mungesë të gjakut për të gjithë qytetarët që kanë nevojë”, – theksoi Presidenti Meta.