Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimeve të fundit në rajon.
Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës dhe theksoi se Kuvendi mbështet punën e përbashkët të dy Qeverive respektive në funksion të përmirësimit të cilësisë së partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Hoxhaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shtetit shqiptar dhe në veçanti të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë ndaj rritjes së përfaqësimit të Kosovës në platformat rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në forumet ndër parlamentare.
Meta nënvizoi se Shqipëria e ka për detyrë angazhimin e saj të gjithanshëm në funksion të njohjeve të shtetit të Kosovës, pjesëmarrjes dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe në shërbim të konsolidimit të perspektivës euroatlantike të vendit fqinj.
Në përfundim Meta dhe Hoxhaj diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben stabilitetit dhe sigurisë së vendeve të tjera fqinje si dhe axhendës euroatlantike të tërë rajonit të Ballkanit.