Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ka reaguar pas marrjes së lajmit për dorëzimin e akuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli.
Meta tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ndaj regjimit të Millosheviqit ishte e drejtë.
“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviçit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë”.
I pari i shtetit shqiptar tha se Thaçi dhe Veseli, do ta dëshmojnë se janë të pafajshme.
“Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri. ”