Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është shprehur për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kohën që procesi ka ngecur pasi Beogradi zyrtar kërkon heqjen e taksave ndaj mallrave serbe.
“Vendimtare që Kosova dhe Serbia të rifillojnë dialogun duke synuar marrëveshjen përfundimtare të qëndrueshme e të zbatueshme, respektimin e vlerave të Bashkimit Evropian, normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Meta në Faceboook.
Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në muajin nëntor të vitit të kaluar pas vendimit të qeverisë së Kosovës që t’u vihet taksë fillimisht 50 për qind e më pas 100 për qind mallrave serbe.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës erdhi pas fushatave të Serbisë kundër Kosovës, fillimisht për çnjohje të vendeve njohëse, e më pas edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.
Tani Serbia e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës.