Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, ka thënë se ura e Ibrit është dashur të hapet qysh në vitin 2017 por hapja e kësaj çështje tani është metodologji e gabuar e kësaj Qeverie. Ai kritikon Qeverinë dhe Presidencën për qëndrim të ndryshme për të njëjtën çështje,
“Për fat të keq të Republikës së Kosovës, mendoj se ura e Ibrit është dashur të hapet në 2017 kur ka përfunduar marrëveshje por BE s’ka pasur mekanizma e as vullnet politik për ta bërë një gjë të tillë dhe tani gjithë debati për këtë çështje është një metodologji jo e duhur e Qeverisë së Kosovës, edhe pse politikisht është dashur të hapet sepse po vërehet që Qeveria e Kosovës e ka një politike jo të njëtrajtshme së bashku me Presidencën. Presidenca kërkon diçka tjetër e Qeveria diçka tjetër, pra jemi shtet me standarde të dyfishta, me botëkuptime të ndryshme nga dy institucione”, thotë ai.
Arifi është i mendimit se ura është dashur të hapet nga komuna e qeveria është dashur të japë vetëm përkrahje politike.
“Në anën tjetër, ajo çka po kërkon bashkësia ndërkombëtare është prapë e pakuptueshme, në njëfarë mënyrë të dyja palët edhe e kanë mirë edhe e kanë gabim sepse është një çështje që është dashur të zbres në nivelin teknik apo në nivelin komunal, që komuna ta kryejë tërë punën dhe qeveria të japë më shumë vetëm përkrahje politike dhe në heshtje është dashur që të mbyllet ky debat”, vlerëson ai për Gazeta Blic.
Politologu shton se ndërkombëtarët po përdorin standarde të dyfishta për këtë çështje.
“Bashkësia perëndimore i ka të gjitha asetet në fuqi, është dashur që ta anëtarësojë së paku Kosovën në BE, në Këshill të Evropës dhe të nisin përgatitjet për anëtarësim në NATO, asnjëra s’ka ndodhur dhe kjo e dekurajon politikën liberale në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare po përdor standarde të dyfishta dhe nga to po pëson vetëm Kosova. BE i ka vendosur Kosovës sanksione dhe kjo për të keq po e dëmton drejt qytetarin e Kosovës. Nëse BE e ka seriozisht me sanksione, mundet edhe pse nuk është e drejtë, por e marrim nëse Kosova duhet të sanksionohet, është dashur të bëhet në mënyrë individuale personale por jo ta dëmtojnë shtetin e Kosovës”, thekson Arifi.
Por, a mund të ketë tensione apo pasoja nëse ura hapet pa koordinim.
Ai nuk sheh rrezik e as pasoja.“Nuk ka tension, nuk shoh rrezik, nuk shoh pasoja, edhe nëse e hapin urën e Ibrit pa pëlqimin e Amerikës dhe BE-së, sepse perëndimi po mundohet të menaxhojë standarde të dyfishta, po mundohen që deri në fund Serbinë ta fusin nën ombrellën e koordinimit dhe udhëheqjes që bashku me botën perëndimore por s’po dinë ta interpretojnë te dhe nëse duan ta bëjnë këtë, duhet ta avancojnë Kosovën. Është dashur të na japin shumë që ne t’i mbyllim sytë për disa gjëra, e them kushtimisht”, deklaron Dritëro Arifi.
Ndërsa, sa i përket asaj se a po përdoret për çështje elektorale ura e Ibrit nga Qeveria, politologu thotë se edhe nëse është bërë për çështje parimore, rezultati final është se po bëhet për zgjedhje.“Edhe nëse e ka bërë për çështje parimore, metodologjia e përzgjedhur është e gabuar sepse ajo urë duhet të hapet, ajo as nuk diskutohet dhe tani kur bën këtë presion kaq të madh dhe e bjen punën a do bëhet apo jo, rezultati final është që po bëhet për kampanjë zgjedhore sepse ura është e hapur, vetëm për automjete nuk është, edhe ajo do të bëhet dhe duhet edhe pak kohë mund të shkojë 3-4 muaj nuk është me rëndësi, ne veriun e kemi nën kontroll prandaj nuk është aq e ngutshme, është mirë që është hapur si temë por duhet bërë hapat e sigurt”, deklaron Dritëro Arifi.