Ministria e Financave ka mbajtur sot takimin e portofolios me KfW-në, të cilin e udhëhoqi zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi. Në takim morën pjesë përfaqësuesit e Institucioneve përfituese dhe përfaqësuesit e KfW-së.
Gjatë takimit u diskutua për sfidat dhe sigurimin që obligimet ndaj kreditorëve po përmbushen plotësisht dhe në kohën e caktuar, duke u bazuar në marrëveshjet e arritura nga palët përkatëse.
Zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi gjatë fjalës së tij e përshëndeti dhe e falënderoi Qeverinë gjermane që përmes ndihmës së KfW-së ka ndihmuar në realizimin e projekteve të rëndësishme siç është projekti i Ngrohtores së Prishtinës dhe së fundi projekti me fabrikat e ujit në Badovc dhe Shkabaj, projekte të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në mirëqenien e qytetarit të Kosovës.
Vetëm bashkëpunimi i mirë dhe i sinqertë ndërmjet dy qeverive ka mundësuar një implementim të tillë të projekteve dhe për këtë kemi edhe rezultatet e prekshme.
Zëvendësministri Krasniqi gjithashtu tha se ne do të vazhdojmë me projektet e ardhshme dhe me bashkëpunimin tonë për t’i bërë edhe këto projekte po aq të suksesshme. Prandaj, ftoi të gjitha institucionet përfituese që të jenë realiste në vlerësimin e sfidave në realizimin e projekteve.