MF-ja dhe OEK-u marrin rekomandimet e bizneseve gjakovare për Pakon Fiskale II

Gjakovë | 31 Mar 2017 | 15:06 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prokurimi publik, pozita e palakmueshme e Aeroportit të Gjakovës, si dhe shumë barriera të cilat përballen bizneset në këtë komunë, kanë bërë që sot ministria e Financave dhe Oda Ekonomike e Kosovës të zhvillojnë një takim me bizneset të cilat operojnë në këtë komunë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, fillimisht i njoftoi bizneset rreth zhvillimit të masave fiskale të Pakos II, duke thënë se e njëjta do të mundësojë avancimin e zhvillimit ekonomik.

“Ne jemi në diskutim gjatë gjithë kohës në zhvillimin e masave fiskale të pakos 2 dhe e kemi bërë të qartë që synimi jonë është zhvillimi ekonomik. Në fakt performanca jonë matet me punën që ju arrini si biznes. Unë kam zhvillua një dialog me Odën Ekonomike e cila është e vendosur në gjithëpërfshirje të kërkesave të bizneseve.

Hoti tha se me Pakon Fiskale I kanë pasur për qëllim krijimin e një ambienti më të mirë të biznesit, sepse sipas tij trendi i të hyrave ishte mjaft shqetësues.

“Ajo pako pati qëllimin e zhvillimin ekonomik dhe ulëm pragun e TVSH-së. Hapi dytë ka qenë që të hiqet norma doganore për disa pajisje”, tha ai.

Ministri Hoti përmendi edhe ligjin për faljen e borxhit, duke thënë se deri më sot bizneseve u janë falur 216 mln euro, gjë e cila ndikoi në përmirësimin e kushteve për të avancuar zhvillimin e tyre.

Ai përmendi edhe rangimin e Kosovës në raportin e Bankës Botërore për të bërit biznes, duke thënë se kjo dëshmon se Qeveria ka bërë punë të mirë sa i përket krijimit të lehtësirave për bizneset vendëse.

Ai shpjegoi për bizneset e Gjakovës të gjitha masat që janë ndërmarr në Pakon Fiskale II.

Një ndër masat në pakon fiskale dy është edhe rishikimi i ligjit për lojërat e fatit tha ministri Hoti.

“Në Pakon Fiskale II është paraparë heqja e normës së akcizës në mazut. Po ashtu do ta zgjerojmë listën e mallrave dhe shërbimeve që i nënshtrohen TVSh-së  në 8 për qind për të nxitur zhvillimin e bizneseve në disa sektor. Vendosja e banderolave në produktet e miellit për të siguruar cilësinë e miellit dhe për të zvogëluar informalitetin”, tha ai.

Aty u premtua bizneseve të Gjakovës se çdo kërkesë apo rekomandim i tyre do të merret parasysh.

Ministri Hoti falënderoi  Odën Ekonomike të Kosovës dhe të gjithë përfaqësuesit tjerë të komunitetit të biznesit, për bashkëpunimin dhe për kontributin e tyre gjatë procesit të diskutimeve të Qeverisë për hartimin e politikave fiskale dhe politikave të tjera ekonomike dhe zhvillimore në vend.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu tha se bizneset po hasin në mirëkuptim me ministrinë e Financave, e cila po karakterizohet me një dialog dhe partneritet të shkëlqyeshëm.

“Nuk më ka ndodhur që të kemi një kërkesë të biznesit pa hasur në mirëkuptim me ministrinë e Financave dhe këto vite ka dominuar partneriteti publiko privat dhe si rezultat i kësaj ne kemi pakon fiskale një dhe së shpejti do ta kemi pakon dy”, tha ai.

Gërxhaliu tha se është i vetëdijshëm se bizneset gjakovare kanë probleme dhe sfida dhe për këtë qëllim tha se janë mbledhur këtu dhe se do të marrin me seriozitet çdo rekomandim të dal nga kjo konferencë.

“Jemi këtu për të avancuar me rekomandime për Pakon Fiskale II që të ndihmohet në zhvillimin ekonomik të vendit. Sa ka rëndësi ekonomike kjo pako ka rëndësi sociale”, tha Gërxhaliu.

Të ngjashme