“Transparenca buxhetore duhet të ri-konceptualizohet jo vetëm si një qëllim i politik bërjes së mirë, por si një kusht i domosdoshëm i menaxhimit të financave publike. Dhe kjo mund të bëhet vetëm atëherë kur kriteret e transparencës i nënshtrohen ekzaminimit të vazhdueshëm të Auditorit të Jashtëm dhe hisedarëve jo-qeveritar.
Me këtë bindje, Ministria e Financave, ka vënë si synim kryesor para vetes transparencën e plotë në menaxhimin e financave publike dhe kemi filluar një sërë ndryshimesh që rrisin saktësinë e të dhënave, lehtësinë e të kuptuarit të tyre, dhe ofrimin e këtyre të dhënave me kohë”, tha sot zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, në tryezën me temën “Luftimi i korrupsionit përmes transparencës buxhetore dhe rishikimit të raporteve të auditorit të përgjithshëm”, të organizuar nga Instituti GAP në kuadër të “Java kundër korrupsionit”.
Zëvendësministri Agim Krasniqi duke i përgëzuar organizatorët e tryezës për shtjellimin e tematikës që ndërlidhet me transparencën buxhetore dhe auditimin e jashtëm, si vegla të rëndësishme që kontribuojnë pozitivisht drejt zvogëlimit të mundësive për korrupsion dhe praktika korruptive, ai gjithashtu falënderoi USAID-in dhe Qeverinë Amerikane për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të përmirësimit të praktikave për menaxhimin e financave publike dhe transparencën buxhetore, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen që vazhdojmë të marrim nga Projekti “Partneritetet për Zhvillim”.
Sipas tij, Raporti i Auditorit ka qenë dhe mbetet udhëzues i rëndësishëm i këtyre ndryshimeve, dhe ne shpresojmë se institucioni i auditorit do jetë ai që do sigurojë qëndrueshmërinë afat-gjate të këtyre ndryshimeve. “Ashtu dhe siç është bërë e ditur, Raporti i Auditorit për vitin 2015 i ka vënë theks kryesor çështjes së klasifikimit të shpenzimeve për të rritur saktësinë e të dhënave.
Reformat të cilat ne i kemi filluar apo adoptuar janë të formuluara për të adresuar mu këtë problem. Së pari, planifikimi në nivel të nën-kategorive ekonomike do shmang mundësinë e keq klasifikimit përbrenda kategorive të gjera ekonomike, ndërsa avancimi i planit kontabël do shmang mundësinë e keq klasifikimit në mes të kategorive ekonomike. Po ashtu, regjistrimi më i mirë kontabël, me elemente aktuale, i asteve dhe detyrimeve, do mundësojë konsistencë të vazhdueshme në mes të shpenzimeve dhe reflektimit të tyre në pasuri. Për më shumë, ne i mbetemi besnik parimit se digjitalizimi i administrimit të politikës rregullat-ive dhe tatimore është parandalues efektiv i korrupsionit.
Zëvendësministri Agim Krasniqi gjatë kësaj Tryeze, në fjalimin e tij elaboroj disa nga veprimet e Ministrisë së Financave specifike që kanë ndikuar dhe pritet të ndikojnë në transparencën buxhetore, dhe natyrisht në zvogëlimin e mundësive për praktika korruptive dhe rrjedhimisht edhe në parandalimin e korrupsionit dhe zvogëlimin e tij.
Sipas tij ndonëse është diskutuar gjatë për implementimin e E-prokurimit, në vitin 2015 Ministria e Financave ka marrë për herë të parë vendim të prerë që kjo formë e prokurimit të bëhet e obligueshme. “Gjatë vitit 2016, kemi filluar me fazën transitore nga prokurimi klasik në e-prokurim, dhe nga janari i vitit 2017, sipas vendimit Qeveritar në fjalë, E-prokurimi do jetë forma e vetme e aplikueshme për të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë. Kjo reformë domethënëse parandalon favorizimin me informata të brendshme dhe regjistron me saktësi çdo hap të procesit të prokurimit. Përveç si masë parandaluese, e-prokurimi ofron edhe gjurmë më të plota për auditet e performacës dhe mundësi më të mira identifikimi për keqpërdorime eventuale. Po ashtu përmes e-prokurimit, ne zvogëlojmë në masë kontaktet direkte midis zyrtarëve publik dhe operatorëve ekonomik, dhe kjo ndikon në zvogëlimin e mundësive për korrupsion”, shtoi Zëvendësministri Krasniqi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Financave në funksion të menaxhimit më të mirë të financave publike dhe llogaridhënies ka përmirësuar klasifikimet buxhetore në fazën e planifikimit, dhe ka dhënë informata të shtuara financiare sipas këtyre përmirësimeve në raportet e ekzekutimit të buxhetit.
“Projeksionet e të hyrave tani planifikohen në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare sipas llojit të të hyrave. Kemi thjeshtëzuar kuptimin e transaksioneve për financimin e deficitit. Për më shumë, duke filluar nga viti 2017, e kemi bërë të obligueshëm planifikimin e buxhetit në nivel të nën-kategorive ekonomike, për të shmangur ndryshimet eventuale në de-stinimin e shpenzimeve brenda kategorisë ekonomike, duke rritur kështu dukshëm saktësinë e të dhënave buxhetore. Po ashtu, duke filluar me buxhetin e vitit 2016, ne e kemi adoptuar klasifikimin funksional të Kombeve të Bashkuara për shpenzimet qeveritare si klasifikim buxhetor standard.
Tani qytetarët, mund të shohin se çfarë funksioni qeveritar mbështet secila linjë buxhetore në nivelin më të detajuar (duke e krahasuar kodin e paraqitur me klasifikimin e ashtuquajtur COFOG – classification of the functions of government)”.
Sipas tij Ministria e Financave ka përmirësuar dukshëm raportet e rregullta të ekzekutimit të buxhetit. Së pari, është përmirësuar krahasueshmëria e klasifikimit të këtyre raporteve me strukturën e klasifikimit të buxhetit. Pastaj, kemi shumëfishuar nivelin e detajeve që ofrohen për publikim, duke përfshirë të dhëna për çdo organizatë buxhetore sipas kategorive ekonomike. Kemi ofruar të dhëna të plota mbi shpenzimet sipas vendimeve gjyqësore, pagesave automatike të Thesarit sipas Nenit 39.2 të LMFPP, informatave mbi borxhin publik, obligimet dhe pagesat e vonuara, dhe kemi ofruar shpjegime narrative mbi ndryshimet në të hyra dhe shpenzime.
Ndër të tjera, zëvendësministri Agim Krasniqi gjithashtu bëri të ditur se MF ka përfunduar përgatitjet për publikimin e një data-baze tabelare me seri 10-vjeçare të të dhënave fiskale. Kjo data-bazë do ofrojë të dhëna të konsoliduar preliminare, në format tabelar, për të mundësuar ofrim me kohë dhe lehtë të kuptueshëm të të dhënave fiskale, në një format shumë lehtë të përdorshëm nga publiku.
“Kemi adoptuar, për herë të parë, standardin e Statistikave Financiare të Qeverisë (SFQ) të Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe jemi përfshirë për herë të parë në bazën vjetore të statistikave financiare të Qeverisë të FMN-së.
Përderisa këtë standard tashmë e kemi adoptuar për raportim, ne synojmë që në bazë të këtij standardi të përmirësojmë edhe klasifikimet buxhetore, duke avancuar planin kontabël të Qeverisë së Kosovës nga principi i thjesht i parasë së gatshme, në modifikim të parasë së gatshme. Kjo për shembull do mundësojë edhe regjistrimin më të mirë kontabël të pasurive.
Tashmë kemi hartuar një plan për avancimin e diagramit tonë të llogarive nga SFQ 1986 – që bazohet vetëm në hyrje dalje të parasë së gatshme – në SFQ 2014, që mundëson avancim edhe me elemente akruale”, shtoi Zëvendësministri Krasniqi .
Ai bëri të ditur se përveç e-prokurimit, Ministria e Financave ka digjitalizuar plotësisht deklarimin tatimor dhe administrimin e procesi-mit doganor. Po ashtu është në proces të digjitalizimit të mëtutjeshëm të shërbimeve tatimore, siç janë vërtetimet e ndryshme dhe kërkesat dokumentare. Këto ndryshime kanë dhënë rishtazi edhe rezultate shumë pozitive në rang-imin e Kosovës në Raportin e BB-së për të Bërit Biznes, ku Pagesa e Tatimeve dhe Tregtia përtej Kufijve kanë avancuar dukshëm në rangim botëror.
Në fund zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi theksoi se “të gjitha këto reforma mund të jenë efektive vetëm nëse qytetarët, dhe grupet jo-qeveritare përmes të cilëve përfaqësohen, arrijnë ta ndjejnë ndikimin e tyre. Në këtë drejtim, ne si Ministri e Financave jemi tejet të interesuar për ndihmën tuaj në identifikimin e mënyrave më të mira për t’ia komunikuar qytetarit informatat financiare të Qeverisë, në mënyrë që këto informata të shërbejnë si vegël për llogaridhënie, dhe si armë për penalizmin e korrupsionit”.