MI-ja financon 5 projekte infrastrukturore në Viti

Viti | 06 Shk 2017 | 16:11 | Nga

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e disa projekteve në ndërtimin e rrugëve të reja në këtë komunë.

MI-ja do të financojë realizimin e asfaltimit të rrugëve:

Ndërtimi i urës mbi lumin Morava në Viti, afër kompleksit të shkollave të mesme, në vlerë prej 300,000 €.

Zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës Sadovina e Jerlive – Dardani (kyçja në autostradë), në vlerë prej 500,000 €.

Asfaltimi i rrugës Gërmovë – Goshicë në Viti, në vlerë prej 150,000 €.

Asfaltimi i rrugës Mogillë – Skifteraj (rruga Cemelit) në Kllokot – Viti, 150,000 €.

Zgjerimi i rrugës nga Drobeshi deri të rruga e Mogillës në Viti, 150,000 €.

Sipas këtij memorandumi, MI-ja obligohet të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projekteve, ndërsa, Komuna e Vitisë duhet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit të këtyre projekteve, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së.

Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë.

Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projektit, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi.

Zh.H. 1

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme