Bazuar në të dhënat e mbledhura nga menaxherët rajonalë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe ekipeve tjera mbështetëse nga terreni, në disa rrugë nacionale dhe rajonale kanë ndodhur rrëshqitje të vogla të dheut dhe të gurëve, si pasojë e reshjeve të shiut dhe ndryshimeve të motit.
Menaxherët rajonalë, ekipet e MI-së dhe kompanitë e kontraktuara nga MI, po punojnë në pastrimin e rrugëve, për të larguar të gjitha pengesat, thuhet në një njoftim të lëshuar nga kjo ministri.
Por nuk specifikohet se në cilat rrugë konkretisht ka pasur shembje dheu e gurësh.
Ministria e Infrastrukturës i këshillon të gjithë qytetarët e Kosovës që të kenë kujdes gjatë udhëtimit dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.