Ministria e Infrastrukturës njofton se të gjitha rrugët nacionale dhe rajonale rreth qendrave të skijimit dhe në zonat e thella malore mbeten të kalueshme.
Me gjithë reshjet e fundit të borës, ngricat dhe temperaturat shumë të ulëta, të gjitha rrugët janë mirëmbajtur dhe janë pastruar sipas prioriteteve.
Bashkëpunimi në mes të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, ekipeve lokale në disa komuna të Kosovës dhe Policisë së Kosovë po vazhdon, me qëllim të eliminimit të të gjitha pengesave në komunikacion.
Ministria e Infrastrukturës këshillon për kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, posedim të pajisjeve të nevojshme dimërore, respektim të rregullave të komunikacionit dhe të ligjit.
Po ashtu, MI i lut qytetarët që të mos ndalojnë automjetet e tyre në pjesët që nuk janë paraparë për parkim në rrugët rreth qendrave të skijimit, sepse kjo po pengon zhvillimin e komunikacionit dhe mirëmbajtjen e rrugëve.