Sipas Ministrisë së Integrimeve Europiane zbatimi i këtyre kritereve në këtë fazë është i kënaqshëm duke pas parasysh problemet me funksionin e institucioneve.
Madje, ata në një përgjigjeje për lajmi.net kanë thënë Kuvendi i Kosovës ka qenë pengesa më e madhe për zbatimin e këtyre kritereve vitin e kaluar.
“Vitin e kaluar kemi pasur një shkallë zbatimi të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) prej rreth 55%. Kjo shkallë është relativisht e kënaqshme për Kosovën marrë parasysh faktin se ka qenë viti i parë i zbatimit të Marrëveshjes, kemi pasur në dispozicion më pak se një vit (pasi që MSA ka hyrë në fuqi më 1 prill) dhe Kuvendi nuk ka funksionuar në pjesën më të madhe të vitit. Kjo e fundit ka qenë pengesa më e madhe, pasi që përafrimi me legjislacionin e BE-së është hapi i parë për zbatimin e MSA-së në të gjitha fushat”, thuhet nga MIE në një përgjigjeje për lajmi.net.
E përveç tyre, pengesë për të zbatuar kriteret e dala nga MSA, po del të jetë edhe buxheti.
“Pengesa kryesore në zbatimin e reformave që kërkon MSA mbeten vonesa në formimin e institucioneve të reja. Përveç kësaj, pengesë tjetër paraqet mungesa e buxhetit të mjaftueshëm për institucionet zbatuese për zbatimin e reformave në fusha prioritare. Një pengesë e tretë është edhe fakti që kërkohet ekspertizë më e madhe për të drejtën/legjislacionin e BE-së dhe zbatimin tij”, thuhet nga MIE.
Marrëveshja për Stabilizim Asocim mes Kosovës dhe Bashkimit Europian ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016. Kjo ishte marrëveshja e parë kontraktuake mes Kosovës dhe BE-së, për të cilin zyrtarë shtetëror ishin mburrur dhe kishin dhënë zotime për përmbushjen e kritereve.
Mirëpo, Kosova deri më tash ka ngecur në zbatimin e këtyre kritereve. Zbatimi i tyre është duke ecur ngadalë edhe në vitin 2017.
“Aktualisht zbatimi po shkon ngjashëm sikur vitin e kaluar, por presim të përshpejtohet ky proces pas formimit të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të qershorit”, është thënë nga MIE për lajmi.net, duke përmendur edhe një sërë veprime që ka marr kjo ministri që këto kritere të realizohen.
Kosova dhe Bashkimi Europian kishin nënshkruar marrëveshjen për MSA-në më 27 tetor të vitit 2015. Ndërsa, kjo marrëveshje kishte hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.
Në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshje, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ishte shprehur se për vendin po fillon një kapitull i ri dhe kjo ditë do të jetë e shënuar në historinë e zhvillimit të shtetit të ri, meqë “Kosova po e vë gurthemelin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, që kushtëzon të drejta dhe detyrime të ndërsjella një spektër të gjerë sektorësh, duke përfshirë respektimin e parimeve demokratike, aplikimin e standardeve evropiane të tregut, konkurrencës, shtetin ligjor dhe pronën e përgjithshme dhe atë intelektuale. Marrëdhëniet kontraktuale me BE-në do të ndihmojnë në adoptimin e standardeve evropiane, në avancimin e dialogut politik, në përmirësimin e standardeve të edukimit, punësimit, energjisë dhe ambientit; forcimin e shtetit ligjor dhe rritjen e efiçiencës së qeverisjes së brendshme.”. ishte shprehur Mustafa.
Nënshkrimi i MSA-së u bë i mundur pas marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë, të cilat Serbisë, i siguruan negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën në dhjetor të vitit të kaluar.
Procesi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në është një proces përgjatë të cilit vendi që ka dëshirë të marrëdhënie më të afërta me BE-në – sidomos në fushën e tregtisë së lirë – dhe kalon nëpër reforma krijojë legjislative dhe administrative për tu përgatitur për një gjë të tillë.
BE-ja dërgon ekspertë teknikë në fusha të ndryshme që e udhëzojnë qeverinë e vendit se si ta kuptojë drejtë legjislacionin e BE-së, si ta aplikojë atë në legjislacionin vendor dhe si t’i krijojnë institucionet që duhet t’i zbatojnë ato ligje në praktikë.