Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, deklaroi se miratimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, është hap i rëndësishëm drejt reformës në sistemin prokurorial.
Reagimin e KPK-së se nuk do e zbatojë Ligjin, Miftaraj e cilësoi si kërcënim, derisa shtoi se kjo qasje është e paparë nga një institucion kushtetues.
“KPK-ja reagoi me një deklaratë, ku kontestohet Ligji dhe tregoi se të njëjtin do ta kontestojnë përmes rrugëve ligjore. E drejtë kjo e cila në aspektin juridik është shumë legjitime. Sidoqoftë, deklarata e KPK-së, vazhdoi edhe me kërcënimin se nuk do ta zbatojnë Ligjin, me theks nënkuptuan se nuk do të dorëzojnë mandatin të cilin ua merr me ligj, Kuvendi i Republikës së Kosovës”, shkroi Miftaraj në Facebook.
Sipas Miftarajt, ky deklarim nuk do koment “dhe nuk guxon jo të ndodhë, por nuk guxon as të flitet nga një institucion si KPK”.
Kreu i IKD-së theksoi se ligjet e miratuara nga Kuvendi duhet të zbatohen “përndryshe kalojmë në anarki”.
KPK-ja ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kontestuar përmbajtjen e këtij Ligji, pasi pretendon se “me këtë Ligj cenohet mandati kushtetues i anëtarëve të Këshillit, do ta pamundësojë funksionalizimin e sistemit prokurorial dhe do ta bëjë atë lehtësisht të ndikuar nga politika”.