Përfshirja e anëtarëve të rinj në grupin punues për procesin e vettingut që vijnë nga sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial ka bërë që shtatë anëtarë të grupit të ekspertëve të pavarur të japin dorëheqje.
Ehat Miftaraj nga IKD-ja në një prononcim për Ekonomia Online tha se përfshirja e madhe e zyrtarëve nga këto dy institucione bije në kundërshtim me idenë origjinale dhe atë fillestare.
“Javën e kaluar si grup punues kemi pranuar një e-mail nga Ministria e Drejtësisë ku jemi njoftuar se vendimi i prillit të këtij viti do të plotësohet me një vendim të ri në Qeveri i cili vendim do të përfshijë edhe një numër të madh të zyrtarëve të tjerë publik ku përfshihen së paku 10 anëtarë të rinj të ri të grupit që vinë nga sistemi gjyqësor dhe nga sistemi dhe sistemi prokurorial”.
“…një qasje të tillë e kemi parë që bie në kundërshtim me idenë origjinale fillestare që ka qenë grupi i ekspertëve të pavarur të hartojë skenarët në lidhje me nevojën e procesit të vettingut në Kosovë dhe në këtë drejtim plotësimi i grupit e ka humbur kuptimin për ne që të vazhdojmë dhe të jemi pjesë e këtij grupi. Në këtë drejtim Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë ka të drejtë për të formuar grupe punuese për procesin e vettingut, por që për ne si grup i ekspertëve e kemi vlerësuar që nuk ka më kuptim”.
Mes tjerash ai ka thënë se nga këto institucione nuk kanë qëndrim të qartë për një proces të pavarur të vettingut, andaj ai thotë se duke ditur këtë qëndrim ishte e pakuptimtë që të marrin pjesë në këtë grup punues.
“Me ministrin e ri të Drejtësisë ne kemi pasur një takim dhe në takim ka qenë edhe zëvendëskryeministri ku kemi biseduar për vazhdimin e grupit punues dhe në atë takim ministri Selimi ka përmendur formimin e një grupi të ri apo plotësimin e vendimit me anëtarë të rinj dhe në bazë të asaj ne si grup punues të ekspertëve të shkruar në letër kemi vlerësuar që pjesëmarrja jonë e deri tanishme do të kishte efekt negativ me vetë faktin që duke marr për bazë që shumica e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial së paku atyre që janë prononcuar në publik si duket nuk kanë qëndrim për të pasur një proces të vettingut andaj duke ditur këtë qëndrim do të ishte e pakuptueshme të marrim pjesë në këtë grup punues”.
Ai ka pohuar se Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial e kanë devalvuar procesin e vettingut, raporton EO.
“Është e vërtet që në vitin 2009 kemi pasur një proces të vettingut, i cili proces në vitin 2020 po dëshmohet dhe po tregohet që ka qenë i dështuar me vetë faktin se një numri i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kishin dështuar në procesin e vitit 2009 sot janë kthyer në sistemi të drejtësisë dhe kjo tregon që Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial e kanë devalvuar atë proces”.
Miftaraj ka thënë se ka nevojë për një proces të vettingut, sepse sipas tij, në raportet vendore dhe ato ndërkombëtare Kosova ka filluar të quhet si shtet i kapur ku sistemi gjyqësor është i politizuar.
“Dhe që ka nevojë për një proces të vettingut unë besoj që kjo është e qartë me vetë faktin se Kosova me raportet vendore dhe ndërkombëtare ka filluar të quhet si shtet i kapur ku sistemi gjyqësor është i politizuar dhe ky sistem nuk është në gjendje të ofrojë të drejtësi ku besimi publikut për këtë sistem është i ulët dhe ndryshimi i kësaj gjendje mund të bëhet vetëm përmes procesit të vettingut”.
Ministri i Drejtësisë Selim Selimi është deklaruar lidhur me dorëheqjet e fundit që u bënë nga anëtarët e grupit të pavarur për procesin e vettingut.
Ai ka thënë madje se të premten do të mbajë konferencë për opinionin për të treguar detajet tjera rreth kësaj çështje.