Skepticizëm të madh kanë shfaqur një grup i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kjo e dhënë është evidentuar në një raport të Ministrisë së Punëve të Jashtme, i cili ka derivuar nga takimi i zhvilluar këtë muaj me përfaqësues të 17 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të cilin e ka parë gazeta. Aty përshkruhet ekzakt qëndrimi i secilit shtet në raport me Kosovën, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas dokumentit, brengat kryesisht kanë të bëjnë me migrimin ilegal si dhe mospërmbushjen e pritjeve sa u përket reformave të cilat është dashur t’i përmbushë Kosova. Vetëm dy shtete kanë qenë plotësisht në favor të futjes së Kosovës në zonën Schengen.
“Në takim kanë marrë fjalën 17 shtete anëtare, prej tyre vetëm Bullgaria dhe Hungaria kanë qenë qartë pozitive dhe mbështetëse për liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet e tjera kanë shprehur pavendosmëri apo brenga për aspekte të ndryshme të ndërlidhura me kushtet/pritjet për reforma”, thuhet në raport. Më tej, përshkrim i bëhet qëndrimit zyrtar të shteteve kryesore të BE-së, në të cilat Kosova vazhdimisht ka llogaritur për mbështetje.